Anëtari i Departamentit Juridik dhe Çështjeve Zgjedhore në Partinë Demokratike tha se, Berati sot përballet me një braktisje të rëndë shtetërore e cila po sjell si pasojë largimin e të rinjve dhe shpopullimin e fshatrave dhe qyteteve tona.
“Në vitet e fundit fermerët e këtij qarku janë lënë plotësisht në mëshirë të fatit. Mungesa e subvencioneve dhe e ndihmës reale nga qeveria, kostot e larta të prodhimit, mungesa e tregut si dhe gjendja e mjeruar e infrastrukturës dytësore, me rrugë rurale të amortizuara që lënë shumë për të dëshiruar, e kanë bërë këtë punë në bujqësi gjithnjë e më të vështirë dhe shpeshherë të pashpresë” tha Ksandro Groshmi, në foltoren e ripërtëritjes organizuar sot pasdite në Berat.
Ai nënvizoi nevojën për përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje aty ku debatohet dhe mbahet përgjegjësi
“Kur flasim për të ardhmen e qytetit të Beratit dhe qarkut të tij, duhet të flasim edhe për mënyrën se si duhet të ndryshojë politika dhe vetë Partia Demokratike.
Rithemelimi nuk duhet të jetë një slogan i zakonshëm, as thjesht një ndërrim emrash apo brezash në krye.
Një forcë politike nuk mund të ecë përpara duke vënë brezat përballë njëri-tjetrit, sikur përvoja e të djeshmit të ishte pengesë dhe entuziazmi i të rinjve të mjaftonte për të zëvendësuar gjithçka. Brezi i ri nuk mund të mbetet një dekor i bukur në salla e as të kërkohet vetëm në ditë fushatash.
Rinia duhet të jetë aty ku merren vendimet, aty ku debatohet dhe mbahet përgjegjësi. Sepse pa zërin e saj, politika rrezikon të shkëputet nga realiteti dhe nevojat e kohës. Ndaj, rithemelimin e Partisë Demokratike, unë e shoh pikërisht si një urë lidhëse, me urtësinë dhe kujtesën e atyre që kanë sakrifikuar për këtë parti, dhe të gërshetuar me energjinë e atyre që duan ta çojnë atë drejt fitores. Dhe kjo bëhet akoma më jetike sot, sepse hallet e Beratit dhe të qarkut të tij nuk zgjidhen nga zyra apo vetëm me fjalime. Ato kërkojnë që ne të jemi çdo ditë në terren krah fermerëve dhe qytetarëve, t’i dëgjojmë me vëmendje dhe t’i kthejmë shqetësimet e tyre në vendime dhe investime konkrete”, u shpreh ai.
Gazeta RD