Nga Ted KOPLIKU
Buxheti 2027 pranon që shoqëria jonë është shoqëri mjerimi dhe pastrimi parash. Ulen taksat për shportën e proteinave, pa garantuar në asnjë mënyrë uljen e çmimeve të kësaj shporte dhe rriten për këdo tjetër, duke filluar nga ajo “piçka e vogël” në 21% e TVSH-së dhe duke përfunduar në taksime të të ardhurave deri në mbi 30%.
Çfarë do të prodhojë?
1. Të mjerët, që këta kanë shtuar, siç i shtojnë sa herë janë në pushtet, do të jenë edhe më shumë të varur nga lëmosha dhe ndihma shtetërore. Çdo foshnje e lindur do të marrë një bonus më të madh se ç’ka marrë një herë në jetë, por do të ketë më shumë borxh për të larë gjatë kësaj jete.
2. Çdo qytetar, në rastin më të mirë, do të blejë më lirë vezën, por s’do të imagjinojë të hajë pulën. Them në rastin më të mirë, sepse ulja e taksave për 54 produktet nuk do të detyrojë askënd të ulë çmimin. Aq më pak në një ekonomi e cila dominohet nga monopolet dhe ku paraja e krimit dhe e drogës është motori kryesor.
3. Rritja e taksës për qëndrimin, bashkë me zhvlerësimin e vazhdueshëm të euros, do të dëmtojë edhe të vetmen “industri” për të cilën qeveria nuk gënjen se është rritur, edhe pse për këtë s’ka asnjë meritë: turizmin. Turistit do t’i duhet të paguajë më shumë për qëndrimin e tij dhe do të mund të blejë më pak me euron që humb vlerë çdo ditë. Taksa e rritur për shtëpitë e dyta që shërbejnë për këtë industri, do ta bëjë edhe më pak konkurruese ofertën shqiptare për një turizëm që ekziston në fakt për shkak të kësaj oferte e jo për shkak të shërbimit.
4. Goditja e rëndë i jepet edhe investitorit të huaj, i cili, nëse ka guxuar të marrë hapin dhe të vijë në Shqipëri, pavarësisht bandave që kontrollojnë ekonominë në fusha të shumta dhe territore të tëra, tashmë do të përballet dhe me dyfishimin e taksës së dividendit.
5. Nëse sipas shifrave zyrtare keni një ekonomi që është 50% në informalitet, ky informalitet do të shtohet me rritjen e taksave edhe më shumë. Ekzaktësisht efekti i kundërt i taksës së sheshtë, e cila rriti deklarimet dhe shtoi, duke paguar më pak, vjeljet e taksave në vitet 2005-2013.
Kur dëgjojmë fjalën superbuxhet, duhet të nënkuptojmë supervjedhje. Edhe pse për shkak të skandaleve nuk na bëjnë përshtypje 150 milionë euro që do të na marrin më shumë në 2027, apo as 10 miliardët që na i shfaqin sikur janë dhuratë, të cilën e nxorën nga xhepi i tyre për të na e dhuruar, këta para janë ushqim për super-administratën e parazitëve, PPP-ve të varfërimit dhe bonuseve të mjerimit. Mjerim i shkaktuar po nga kjo lloj qasjeje ekonomike.
Ky buxhet do të largojë edhe më shumë shqiptarët e ndershëm e do të lehtësojë edhe më shumë pastrimin e parave dhe sundimin e tregut nga kjo para.
Kartuçët e Komandantit do të vazhdojnë të ngrihen edhe në komisione po njësoj, e ne do të na mbetet po prapë e vetmja rrugë për ta ndalur: protesta deri në përmbysje.
Gazeta RD