​Diaspora shqiptare në Gjermani, 3 kërkesa Bundestagut për protestat kundër Ramës!

Aktivistë të diasporës shqiptare në Gjermani i janë drejtuar zyrtarisht katër grupeve parlamentare në Bundestagun gjerman, duke kërkuar angazhimin e institucioneve të Berlinit për zhvillimet politike në Shqipëri dhe mbështetjen e protestave që po zhvillohen në Tiranë.

Përmes një kërkese zyrtare, aktivistët kanë paraqitur tri kërkesa konkrete, që lidhen me mbrojtjen e së drejtës për protestë paqësore, denoncimin e dhunës policore dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Ata kërkojnë që zhvillimet në Shqipëri të marrin vëmendjen e institucioneve gjermane dhe evropiane dhe që procesi i integrimit në BE të mos ecë pa rezultate konkrete në fushën e demokracisë dhe të drejtave themelore.

Kërkesa e parë është që Bundestagu të mbajë një qëndrim publik në mbështetje të së drejtës për protestë paqësore, të dënojë dhunën policore dhe të kërkojë një hetim të pavarur për shkeljet e raportuara gjatë protestave në Tiranë.

Në kërkesën e dytë, aktivistët kërkojnë veprim parlamentar dhe llogaridhënie institucionale përmes pyetjeve parlamentare dhe angazhimit të Komisionit për Çështjet Evropiane. Vëmendje e veçantë, sipas tyre, duhet t’i kushtohet mbrojtjes së të miturve dhe gazetarëve, si dhe shqyrtimit të kufizimeve të reja që mund të cenojnë të drejtën për protestë.

Kërkesa e tretë i drejtohet qeverisë gjermane dhe lidhet me qëndrimin e Berlinit në nivel evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë. Aktivistët kërkojnë që përparimi drejt BE-së të kushtëzohet me rezultate konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e natyrës.

Në deklaratën e tyre, aktivistët theksojnë se Shqipëria duhet të ecë drejt Bashkimit Evropian, por ky proces duhet të mbështetet në demokraci, shtet të së drejtës dhe përgjegjësi politike.

Përmes kësaj nisme, diaspora shqiptare kërkon që zhvillimet politike në vend, protestat dhe shqetësimet për trajtimin e protestuesve të mos mbeten jashtë vëmendjes së institucioneve gjermane dhe evropiane.

Kërkesat

Ne, aktivistë nga qytete të ndryshme nga Diaspora Shqiptare në Gjermani, në mbështetje të Protestave në Tiranë dhe të Revolucioni Flamingo, i jemi drejtuar sot katër Grupeve Parlamentare në Bundestag-un Gjerman.

Tri kërkesat tona drejtuar Bundestagut gjerman:

Qëndrim publik: Të mbështesë të drejtën për protestë paqësore, të dënojë dhunën policore dhe të kërkojë hetim të pavarur për shkeljet e raportuara.
Veprim parlamentar: Të kërkojë llogaridhënie përmes pyetjeve parlamentare dhe angazhimit të Komisionit për Çështjet Evropiane, duke përfshirë hetimin e pavarur, mbrojtjen e të miturve dhe gazetarëve, si dhe shqyrtimin e kufizimeve të reja mbi të drejtën e protestës.

Presion politik në nivel evropian: Të kërkojë një qëndrim të qartë të qeverisë gjermane në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke kushtëzuar përparimin me rezultate konkrete në shtetin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e natyrës.

Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së, por ky proces duhet të mbështetet në demokraci, shtet të së drejtës dhe përgjegjësi politike.

About Redaksia

Check Also

Media amerikane: Një udhëtim nëpër errësirën e komunizmit në Shqipëri

Nga Peter Lucas, BOSTON HERALD Kjo është një histori për socializmin që po e tregoj …