Tabaku: Përjashtimi nga prokurimi publik bie ndesh me rregullat e konkurrencës

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, thotë se projektligji i propozuar nga një deputete socialiste do t’i lejonte shoqërisë të negocionte drejtpërdrejt me prodhuesit, duke rrezikuar të nxjerrë nga tregu operatorët e tjerë.

Tabaku, kundërshton projektligjin që, sipas saj, do ta përjashtonte shoqërinë Albanian Digital Solution nga zbatimi i ligjit për prokurimin publik. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ajo paralajmëroi se mundësia për të negociuar kontrata pa garë do të krijonte monopol në tregun e teknologjisë së informacionit.

Sipas Tabakut, projektligji i propozuar nga një deputete e Partisë Socialiste përmban vetëm një nen. Ajo tha se ndryshimi do t’i lejonte shoqërisë t’u drejtohej drejtpërdrejt prodhuesve të teknologjisë, në Shqipëri ose jashtë vendit, dhe të negocionte me ta pa zhvilluar garë.

“Pra, praktikisht, ky monopol do të nxjerrë nga tregu të gjithë operatorët e tjerë”, thotë Tabaku. Sipas saj, ndryshimi do të godiste bizneset që kanë investuar në këtë sektor, duke ua kufizuar mundësinë për të konkurruar për kontratat publike.

Albanian Digital Solution u themelua në prill të vitit 2026 si shoqëri aksionare. Tabaku e cilësoi një AKSHI të dytë dhe ngriti shqetësimin se struktura e saj mund të lejojë hyrjen e një aksioneri privat me deri në 49% të aksioneve, ndërsa shteti do të ruante shumicën prej 51%.

Deputetja e PD e krahasoi modelin me KAYO-n në sektorin e mbrojtjes. Ajo përmendi edhe hetimet e SPAK-ut kur kritikoi mënyrën se si, sipas saj, ka funksionuar deri tani tregu i kontratave publike të teknologjisë.

Tabaku e lidhi projektligjin edhe me procesin e integrimit europian. Sipas saj, përjashtimi nga prokurimi publik bie ndesh me rregullat e konkurrencës dhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

About Redaksia

Check Also

Vangjel Tavo denonohet në SPAK: Mori pagë si Prefekt dhe si Kryebashkiak

Kandidati i PD për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, Petro Gjikuria, është paraqitur sot në …