Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka kritikuar politikat fiskale të Qeverisë Rama dhe mënyrën se si është hartuar buxheti për vitin 2027, duke vënë në fokus ndikimin e tij në ekonominë e familjeve shqiptare.
Sipas saj paketa nuk sjell asnjë lehtësim në tatimin mbi pagat për një familje me dy të ardhura nga 100 mijë lekë bruto secila, ndërsa një i punësuar me pagë 300 mijë lekë bruto përfiton rreth 10 mijë lekë ulje tatimi në muaj.
Tabaku e cilësoi këtë shpërndarje të përfitimeve si zgjedhje politike të qeverisë Rama, duke kundërshtuar pretendimin se paketa mbështet shtresën e mesme.
Sipas llogarive që paraqiti, as familjet me dy paga nga 50 mijë lekë bruto nuk përfitojnë nga ndryshimet tatimore.
“Po dy prindërit që punojnë çdo ditë dhe mezi mbulojnë shpenzimet e shtëpisë, ku janë në këtë llogari?”, pyeti ajo.
Deputetja paralajmëroi se barra për familjet që jetojnë nga biznesi i vogël shtohet edhe nga ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Duke iu referuar relacionit të qeverisë, ajo tha se rreth 17.500 biznese do të përfshihen në skemë, nga të cilat parashikohen 4,5 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Tabaku solli shembullin e një aktiviteti me 6 milionë lekë xhiro vjetore, duke theksuar se kjo shumë nuk është fitimi i familjes: prej saj paguhen furnitorët, qiraja, punonjësit dhe detyrimet. Sipas saj, përfshirja në TVSH shton edhe shpenzimet për kontabilitetin dhe rëndon sipërmarrjet e formalizuara.
Ajo vuri në dyshim edhe efektin e uljes së premtuar të TVSH-së për ushqimet bazë në 6%. Sipas Tabakut, rritja e normës për produktet e tjera në 21%, kostot e transportit dhe përqendrimi i tregjeve rrezikojnë të zbehin përfitimin që pritet të kalojë te konsumatori.
Gazeta RD