Fation SOKOLI
Kandidati qe mund te bashkoje Tiranen “A i duhet Tiranës një politikan që nuk e ka drejtuar kurrë? A i duhet një tiranas? Apo i duhet mbi të gjitha një njeri që e meriton të drejtojë kryeqytetin? Ilir Alimehmeti është një figurë e veçantë: pedagog, mjek i spikatur, intelektual i nivelit të lartë, me kulturë, urtësi, fisnikëri dhe integritet.
Një figurë e pastër, e papërfolur, që imponon respekt jo me zhurmë, por me formimin dhe njerëzillëkun e tij. Dhe mbi të gjitha, një NJERI!
Çdo forcë politike mund të nxjerrë një kandidat. Por kur bëhet fjalë për të fituar Bashkinë e Tiranës, nuk duhet të pyesim se kujt partie i përket kandidati, por kush është më i miri për Tiranën.
Si mund të gjendet më i miri mes më të mirëve? Sondazhet janë një nga mënyrat. Por mbi të gjitha duhet të kemi kurajën të lëmë mënjanë ambiciet dhe dëshirat personale për një qëllim më të madh: fitoren e opozitës dhe të mirën e qytetit.
Tiranës i duhet një kandidat i vetëm, i përbashkët, i mbështetur nga i gjithë spektri opozitar. Dhe këtu lind një pyetje që meriton përgjigje: Pse, kur flitet për doktor Ilir Alimehmetin, kundërshtimi më i dëgjuar është vetëm: “Është i PD-së, është i Berishës”? A nuk ka asnjë arsye tjetër për ta gjykuar si figurë, si intelektual, si profesionist apo si njeri? Nëse sondazhet e nxjerrin atë si kandidatin më të votuar, nëse gëzon respektin dhe besimin e shumicës, a nuk duhet të jetë pikërisht ai zgjedhja jonë? Në të kundërt, duhet të kemi ndershmërinë të pranojmë se nuk po kërkojmë kandidatin më të mirë, por atë që na përshtatet më shumë politikisht.
A është Ilir Alimehmeti një figurë politike ndryshe nga ato që kemi parë në 35 vitet e fundit? Unë besoj se po. Urtësia, kultura, qytetaria, formimi intelektual dhe njerëzillëku e veçojnë dhe e vendosin në një nivel tjetër. Janë pikërisht këto vlera që duhet të kërkojmë te njerëzit të cilëve u besojmë drejtimin e vendit.
Po sikur parlamenti shqiptar të kishte 140 deputetë me formimin, kulturën, urtësinë dhe integritetin njerëzor të Ilir Alimehmetit? A nuk do të ishte Shqipëria një vend më i mirë? Atëherë, pse të mos fillojmë ta ndërtojmë këtë standard që sot? Pse të mos mbështesim njerëzit e duhur, pa pyetur nëse janë “të mitë apo të tutë”?
Politika nuk duhet të jetë pronë e partive dhe as peng i egove personale. Ajo duhet të jetë shërbim ndaj qytetarëve dhe vendit. Nuk na mungojnë njerëzit që kërkojnë pushtetin.
Na mungojnë njerëzit që e meritojnë atë. Prandaj, le të bashkohemi rreth vlerave, jo rreth ndasive. Le të zgjedhim njerëzit më të mirë, jo thjesht emrat që na imponon përkatësia politike.
Një Tiranë më e mirë fillon me një zgjedhje më të mirë. Një Shqipëri më e mirë fillon kur mësojmë të vlerësojmë njerëzit për atë që janë dhe jo për flamurin politik që mbajnë. Ndoshta ka ardhur koha për një bashkim kombëtar rreth njerëzve më të mirë! Nesër mund të jetë vonë. Sot është koha të tregojmë se kemi mësuar të vendosim interesin e vendit mbi interesin e ngushtë politik.
Unë uroj që fatet e Tiranës, të vendit tim, por edhe të vendit tënd, të drejtohen nga figura njerëzore si Ilir Alimehmeti. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë politikanë të zakonshëm. Ka nevojë për më shumë njerëz të jashtëzakonshëm në politikë!
Tirana meriton me te mirin! Ilir Alimehmeti!
Gazeta RD