Bardhi–maxhorancës: E trajtoni Parlamentin si partinë tuaj!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka akuzuar mazhorancën se nuk e merr seriozisht procesin e integrimit europian dhe se ka cenuar funksionimin e institucioneve dhe të parlamentarizmit në vend.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Bardhi shprehu kritika për mosmbledhjen e saj brenda afatit tre ditor, të parashikuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit. Sipas tij, kërkesa e opozitës ishte depozituar më 16 nëntor, ndërsa mbledhja u zhvillua vetëm më 24 nëntor.

Duke iu referuar raport-progresit të Komisionit Europian për vitin 2026, Bardhi kërkoi që Kuvendi të hartojë një kalendar konkret për adresimin e problematikave të evidentuara nga Brukseli, duke theksuar se shumë prej shqetësimeve përsëriten prej vitesh.

Bardhi përmendi gjithashtu edhe kriikat për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Zoti kryetar, bëtë mirë që e referuat nenin 98. Neni 98 thotë që kryetari i Kuvendit, brenda 3 ditëve, mbledh Konferencën e Kryetarëve. Sot jemi në ditën e 9-të dhe ju, në shkelje të Rregullores, nuk kujdeseni as formalisht për të trajtuar një kërkesë që është e drejtë e opozitës. Pra, ju e mblidhni Konferencën e Kryetarëve kur të keni ju kohë, kur dëshironi ju, jo kur ju urdhëron Rregullorja e Kuvendit.

Kjo tregon se sa i respektoni ju të drejtat e opozitës dhe sa seriozisht e merrni, në fakt, raportin e Komisionit Europian. Nëse kishte një gjë që ishte krejt evidente, është se ju dhe nën drejtimin tuaj parlamentarizmi në këtë vend është hedhur në erë. Nuk ka kontroll parlamentar, nuk respektohen të drejtat e opozitës, procesin ligjvënës e bëni si të dëshironi ju: vjen ligji sot dhe për dy ditë e fusni në seancë plenare.

Keni kapur të gjitha institucionet përmes një procesi të njëanshëm të emërimit politik të titullarëve në çdo institucion. Pra, praktikisht, i keni vënë kyçin Parlamentit, e trajtoni Parlamentin sikur të jetë partia juaj. Në fakt, nuk është partia juaj, por institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi, që ka përfaqësimin e të gjithë qytetarëve mbi bazën e zgjedhjeve të përgjithshme dhe të rezultatit të tyre, dhe ju duhet të respektoni hapësirën që i takon opozitës.

Tani, përpara se të kalojmë te shqyrtimi, unë dua një sqarim nga kryetari i Kuvendit: pse, me ndërgjegje, ka vendosur të shkelë nenin 98? Nuk është opsional. Këtu thuhet «brenda 3 ditëve», pra mund ta mbledhësh ditën e parë, ditën e dytë, por edhe ditën e tretë. Kërkesa është depozituar në datën 16. Sot është data 24 nëntor, pra ka tejkaluar çdo logjikë normale të trajtimit të një kërkese të opozitës.

Nuk ka nevojë të bëjmë shpikje, mjafton të shikoni se çfarë bën Parlamenti i Kosovës. Sot doli raporti, të nesërmen opozita paraqiti kërkesë për debat në seancë plenare dhe të pasnesërmen Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar progres-raportin.

Këtu, kur gjithçka është normale, shkelim Rregulloren, shkelim të drejtat e opozitës dhe vijmë këtu e bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Unë lutem, së pari, që të kuptojmë se puna e komisioneve parlamentare nuk pengon punën e Konferencës së Kryetarëve. Pra, nuk është argument të thuash se unë shkela Rregulloren sepse ishte i zënë Ulësiu. Nuk qëndron. Ulësiu të vazhdojë punën e vet. Konferenca e Kryetarëve e mori Ulësiun, meqenëse është i pari nga kryetarët e komisioneve, pa një specifikë të caktuar. Pra, meqenëse është i zënë Ulësiu, po shkelim Rregulloren. Ky është thelbi i argumentit që ju jepni, zonja Peleshi, dhe kjo nuk qëndron aspak, sepse Rregullorja është Rregullore dhe duhet të zbatohet.

Pra, unë mora Ulësiun se nuk doja më mirë Milvën e me radhë, mora Ulësiun meqenëse ishte i pari. Po të thuash që ka qenë i zënë Ulësiu dhe unë shkela Rregulloren, domethënë, edhe ta paraqesësh si argument, vetëm ti mund ta bësh, sepse unë nuk besoj se e bën dikush tjetër.

Konferenca e Kryetarëve ka axhendën e vet. Mbledhjet e Ulësiut zakonisht i filluam pas orës 10, ndaj Konferenca e Kryetarëve mund të ishte mbledhur sot në orën 08:30, ditën e enjte, në një orar tjetër të përshtatshëm.

Do të ishte shumë më e ndershme të thoshit se mua nuk më intereson Rregullorja, nuk më interesojnë të drejtat e opozitës, bëj si dua unë, sepse kështu kam bërë që nga dita kur jam ulur në atë karrige. Do të ishte shumë më e ndershme dhe do ta kishim pranuar si argument, sepse tashmë edhe jemi mësuar. Domethënë, nuk është se është diçka e re.

Së dyti, siç jeni në dijeni, raport-progresi për vitin 2026 i Komisionit Europian ka bërë një pasqyrë të punës së Kuvendit dhe të institucioneve të tjera, duke ngritur një sërë shqetësimesh që padyshim kërkojnë debat dhe adresim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Për ne, procesi i integrimit ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe, për këtë arsye, Kuvendi duhet të jetë i angazhuar për të adresuar me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet që Komisioni Europian i ka bërë Shqipërisë në raportin e vet vjetor, duke e trajtuar këtë raport jo thjesht si një dokument politik, por mbi të gjitha si një dokument pune, për të cilin bashkërisht, në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të kemi një kalendar se si do të adresojmë secilin shqetësim.

Vërej se në raport ka shqetësime që përsëriten apo mbarten nga viti në vit. Në tërësinë e vet, ka shqetësime që kanë qenë edhe në raportin e vitit të shkuar, edhe në raportin e para dy viteve e kështu me radhë.

Është e papranueshme, zoti kryetar, që për të disatën herë Komisioni Europian i kujton këtij Kuvendi detyrimin që ka për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat injorohen kur nuk i interesojnë mazhorancës, por edhe zvarriten në zbatimin e tyre derisa bëhen të pazbatueshme apo humbasin efektin e kërkuar.

Rasti më i fundit është vendimi për ngritjen e një komisioni hetimor, zbatimin e të cilit ju e keni zvarritur në mënyrë jashtëzakonisht të papranueshme. Pra, kanë kaluar 5 muaj që ky Kuvend nuk zbaton një vendim që nuk ka nevojë as për një analizë të thelluar. Ai kërkon vetëm që të respektohet një e drejtë e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor.

Gjykata Kushtetuese ju ka urdhëruar që në korrik, po mbaron nëntori dhe ne ende nuk kemi ekzekutuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Prandaj, e shfrytëzoj edhe këtë hapësirë në Konferencën e Kryetarëve për t’ju bërë thirrje që të reflektoni, të zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të respektoni të drejtat e opozitës”, tha Bardhi.

About Redaksia

Check Also

Hasimja ndalohet në Rinas gjatë kontrollit të pasaportave: Më thanë se ka lidhje me protestën

Analisti Ermal Hasimja ka denoncuar një episod të ndodhur në Aeroportin e Rinasit, ku sipas …