Të qëndrosh në Shqipëri është akt rezistence, virusi që po shkatërron vendin është qeveria Rama!

Studenti i Inxhinierisë së Telekomunikacionit, Laert Mera, gjatë fjalës së tij në Foltoren e Ripërtëritjes në Durrës, denoncoi largimin masiv të të rinjve nga vendi, duke theksuar se për shumë prej tyre, qëndrimi në Shqipëri është kthyer në një akt rezistence përballë mungesës së mundësive.

Mera akuzoi qeverinë e Edi Ramës për shpopullimin, korrupsionin dhe kapjen e institucioneve, ndërsa deklaroi se më 28 nëntor do të jetë në protestë kundër qeverisë.

Ai kujtoi gjithashtu përballjet e demokratëve në protesta ndër vite dhe u bëri thirrje qytetarëve që i janë bashkuar së fundmi qëndresës, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për çdo zë të lirë.

Mera nënvizoi se vendi ka nevojë për një Parti Demokratike të ripërtërirë, që t’u japë të rinjve arsye për të qëndruar, për të ndërtuar sipërmarrjet dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Fjala e tij:

Përshëndetje i nderuar profesor doktor Sali Berisha, të dashur demokratë dhe qytetarë të qytetit të Durrësit. Unë jam Laert Mera, student i inxhinierisë së telekomunikacionit në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe prej një viti një sipërmarrës i ri. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të mi, kam zgjedhur të studioj, të punoj dhe të ndërtoj diçka këtu, në qytetin tim, në vendin tim. Sepse sot, për shumicën e të rinjve, të qëndrosh në Shqipëri është një akt rezistence. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi nuk flasin më për atë që do të ndërtojnë pranë familjes së tyre, por për ditën kur do të largohen. Ne të gjithë e dimë se shpopullimi nuk është vetëm një shifër. Është një karrige bosh në auditor, një mik që të shkruan nga larg dhe një familje që mblidhet e plotë vetëm gjatë pushimeve. Janë qytete që mbushen me njerëz të ardhur nga larg për të zëvendësuar ata që këtë vend e quajtën shtëpi, por që u dëbuan prej mungesës së mundësive që ky shtet i kapur na ofron. Si student i teknologjisë së informacionit, e di se një sistem i kapur nuk rregullohet duke ndryshuar vetëm pamjen e ekranit, por duke hequr virusin që e dëmton nga brenda.

Dhe virusi më i rrezikshëm për Shqipërinë sot është kjo qeveri, ky pushtet, ky kryeministër. Prandaj më 28 nëntor do të jem në krahun tuaj në protestë. Të dashur miq, unë si çdo demokrat kam qenë në protestë para se protestat të bëhen trend. Kam qenë atje me të gjithë ju, në qindra përballje me policinë e regjimit, mes gazit lotësjellës, nën presionin e makinave të ujit, kur na sulmonin, na përqeshnin dhe përpiqeshin të na paraqisnin si armiq të këtij vendi, sepse kërkonim atë që të gjithë kërkojnë sot: largimin e këtij kryeministri të korruptuar. Kemi protestuar sepse e dinim se çfarë po i bënte ky pushtet Shqipërisë. Kemi ngritur zërin kundër vjedhjeve, kapjes së institucioneve dhe largimit të rinisë. Kur shumëkush zgjidhte të mos shihte apo të largohej.

Prandaj si i ri dhe si demokrat, atyre që protestojnë sot kundër qeverisë së Edi Ramës, dua t’ju them: mirëseerdhët në protestë. Ne kemi qenë këtu edhe kur protesta nuk sillte duartrokitje apo nuk merrte “like” në rrjetet sociale. Kemi qëndruar që e vërteta të mos shuhej dhe që sot sa më shumë qytetarë të mund të njihnin realitetin. Nuk ju pyesim pse erdhët kaq vonë, ju themi: mirëseerdhët, sepse Shqipëria ka nevojë për çdo zë të lirë. Sepse sot është më e rëndësishme ajo që na bashkon sesa ajo që na ndan. Unë me punën time merrem me dekorimin e festave, me përgatitjen e ditëve të bukura të familjeve shqiptare.

Por ëndrra ime më e madhe është që të mos dekoroj vetëm çastet e lumtura të atyre që kanë mbetur këtu. Dua të ndërtoj një Shqipëri ku të rinjtë krijojnë familjet, sipërmarrjet dhe të ardhmen e tyre këtu, në vendin e tyre. Dhe unë e di se këtë mund dhe do ta bëjmë përmes një Partie Demokratike të ripërtërirë, jo vetëm nga njerëz të rinj si unë dhe bashkëmoshatarët e mi, por edhe në dinjitetin e saj, si e vetmja forcë politike që qëndroi kur askush tjetër nuk kishte forcën për t’i rezistuar këtij pushteti. Miq, në gjithë këto vite me arritjet dhe rrëzimet tona, ne nuk kërkuam një biletë vetëm vajtjeje për diku larg Shqipërisë. Le t’u japim edhe të tjerëve përmes forcës së bindjes sonë, një arsye për të mos u larguar, një arsye për të qëndruar, një arsye për të rezistuar, një arsye për të fituar. Dhe kjo është arsyeja, Shqipëria e lirë. Faleminderit, Zoti e bekoftë rininë shqiptare, Zoti e bekoftë Shqipërinë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: U jap fjalën se bandat, bashkë me Padrinon e tyre, do përfundojnë para ligjit! 

Kryetari i PD, Sali Berisha ka theksuar gjatë fjalës së tij në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ …