FJALA E GAZETARIT, LUTFI DERVISHI, NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË AUTORIT ALFRED LELA ‘MCGONIGAL-HISTORIA E AGJENTIT TË FBI NË TIRANË’
Është shumë faleminderit, Alfred. Nuk e prisja që të isha i pari për të folur, por historia është pak më ndryshe.
Arsyeja që u tregova kaq i shpejtë ishte se unë nuk isha me këmbë në tokë, isha në avion. Dhe jo vetëm që i ktheva përgjigje, por edhe e lexova librin.
Libri, në fakt, më kujtoi dy romane distopike të shekullit të kaluar, që vazhdojnë një debat edhe sot: në cilin realitet po jetojmë? Jemi më afër George Orwell-it apo Aldous Huxley-it?
Romani distopik 1984, i shkruar në vitin 1948, kishte parasysh Big Brother-in, të vërtetat që do të fshiheshin dhe torturat fizike që do të ishin të padurueshme.
15 vjet para këtij romani, një tjetër autor britanik, Aldous Huxley, shkroi Brave New World (1933), dhe shumë njerëz mendojnë se jemi më afër atij realiteti të shkruar pothuajse 90 e ca vjet më parë.
Huxley thoshte se e vërteta nuk do të zhduket, do të jetë e pranishme, por do të mbytet nga cikërrimat. Gjithashtu, për torturën thoshte se nuk do të jetë fizike, por do të jetë me kënaqësi.
Dhe për ata që janë kuriozë, në Netflix është ekranizuar, është bërë film Brave New World.
Mua më duket se jetojmë në një gërshetim të George Orwell-it dhe Aldous Huxley-it, ku është edhe Big Brother-i, por është edhe banalizimi i së keqes, fshehja dhe relativizimi i saj.
Një skandal që ndodh në orët e para të mëngjesit, errësohet nga ai i drekës, harrohet nga ai i pasdites dhe fshihet nga ai i darkës, për të ardhur dita e re me një skandal të ri.
Ajo që më bëri përshtypje në librin e Alfred Lelës është përpjekja jo vetëm thjesht për të pasur një investigim dhe për të bërë një tablo të qartë të një prej skandaleve më të bujshme, më spektakolare, nga ato që kanë ndodhur dhe që s’kanë bërë film.
Duhet të ishte, ose të paktën duhet të jetë, një skenar për t’u bërë film, ku një zyrtar i lartë amerikan gjen Amerikën në Shqipëri, Amerikën në kuptimin anekdotik, dhe ku trekëndëshi i pushtetit, biznesit dhe krimit të organizuar i ngjan trekëndëshit të Bermudës që zhyt interesin publik.
Librin e lexova me kënaqësi dhe me ëndje, jo vetëm për faktin e teknikave të investigimit dhe plotësimeve përtej vendimeve të gjykatës dhe raportimeve të medias, por sepse është nga ato rastet e rralla, besoj unik, që një material investigativ kthehet në një narrativë.
I plotësuar nga bisedat shumë kurioze. Me kë ke biseduar, sepse aty nuk jepen disa personazhe?
Çfarë sjell ky libër? Jo aq shumë një gjë të re, por një kujtesë që ne duhet ta kemi gjithmonë parasysh: gjërat nuk duhet të harrohen, sidomos skandalet spektakolare që fillojnë me njerëz të rëndomtë dhe përfundojnë te kryeministri. Nuk janë gjëra që duhet thjesht t’ia kalojmë dhe t’ia lëmë kohës.
Unë realisht uroj që ky libër të bëhet film dhe me paratë e tij të financohen disa qendra për transparencën dhe luftën ndaj korrupsionit.
Shumë përgëzime, Alfred, dhe vetëm të kesh dëshirën, sepse këtu është si në Lindjen e Mesme: nuk duhet të gërmosh shumë dhe do të dalë prapë naftë.
Gazeta RD