FJALA E AKTORES, JULINDA EMIRI, NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË AUTORIT ALFRED LELA ‘MCGONIGAL-HISTORIA E AGJENTIT TË FBI NË TIRANË’
Përshëndetje!
Nuk është interpretim, por lexim.
Dikur ajo që ndodhte në Shqipëri, njësoj si në Las Vegas, mbetej në Shqipëri. Jo më.
Një brez më parë, Shqipëria ishte një vend i mbyllur, shtet policor komunist, i sunduar me grusht të hekurt nga diktatori Enver Hoxha. Ishte Koreja e Veriut e Evropës. Askush nuk mund të hynte dhe të dilte.
Sot të gjithë duan të ikin, ndërsa investitorët e huaj, sigurisht me ndihmën dhe bekimin e qeverisë, duan të vijnë për ta mjelë këtë vend në kurriz të popullit.
Asokohe Shqipëria ishte një shtet i izoluar, ku ndalohej pronësia private, madje dhe mbajtja e një makine. Njerëzit spiononin njëri-tjetrin, ndërsa ata që kapeshin duke dëgjuar radio të huaja ndëshkoheshin rëndë.
Le të vijmë te Shqipëria e ditëve tona.
Ajo që ndodh sot në Shqipëri nuk mbetet më brenda kufijve të saj, por merret vesh në mbarë botën. Për këtë mund të falënderoni gazetarë si Alfred Lela.
I tillë është rasti i Charles McGonigal, ish-agjentit amerikan të FBI-së, tashmë të diskredituar, dikur një zyrtar i respektuar i kundërzbulimit, i cili pasi u përfshi fshehurazi në pazare me kryeministrin Edi Rama dhe shqiptarë me lidhje politike, përfundoi në burg.
Fati i McGonigal-it dhe i forcave të errëta që bënë të mundur afrimin e tij në rrethin e besimit të Ramës, si dhe në botën e dyshimtë të biznesmenëve shqiptarë me lidhje politike ku ryshfetet dhe pagesat e paligjshme nën dorë janë mënyrë jetese, janë vetëm një pjesë e historisë që rrëfen Alfred Lela.
McGonigal dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë gjetën në Shqipëri një terren pjellor për të bërë para në mënyrë të paligjshme.
Në fund të fundit, zor se do të ekzistonte qoftë edhe një prej atyre kullave të shëmtuara që kanë mbirë si kërpudha në Tiranë pa kaluar para nga njëra dorë në tjetrën.
Jo më kot Shqipëria njihet sot si kryeqyteti evropian i pastrimit të parave të drogës.
McGonigal nuk ishte ndonjë zyrtar amerikan i panjohur që kërkonte të zhvaste ndonjë dorë parash. Ai ishte një nga figurat më të larta të FBI-së që kishte drejtuar zyrën prestigjioze të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, përpara se të lidhej me disa shqiptarë të gërditshëm me lidhje të forta politike.
Lela, një ndër gazetarët më të rëndësishëm në Shqipëri, shtresë pas shtrese zbulon korrupsionin politik që ka hedhur rrënjë të thella në këtë vend, ku njerëzit me lidhje politike pasurohen ndërsa popullit nuk i mbetet asgjë.
Ai është një nga të paktët gazetarë shqiptarë që me përkushtim, guxim, vendosmëri dhe dashuri për vendin, merr përsipër ta hedhë dritë mbi mekanizmat e këtij korrupsioni.
Dhe pikërisht këtë bën.
Kapitull pas kapitulli zbulon ngjarje prej të cilave çdo shqiptari të zakonshëm do t’i vlojë gjaku.
McGonigal dhe rënia e tij mund të jenë në qendër të librit të Lelës, por skena ku shpaloset e gjithë drama është Shqipëria.
Faleminderit!
Gazeta RD