Ambasadori i SHBA: SPAK do të sigurojë provat për të korruptuarit direkt nga serverët amerikanë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar sot një takim në ambientet e SPAK, ku është takuar me kreun e këtij institucioni, Klodian Braho, dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.

Në fokus të takimit dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve ka qenë forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht përmes sigurimit dhe gjurmimit të provave dixhitale.

Pas takimit, ambasadori amerikan ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë institucionet shqiptare të drejtësisë për të siguruar prova që mund të ndodhen në serverë të kompanive amerikane, përfshirë komunikimet elektronike, llogaritë në rrjetet sociale dhe të dhënat e ruajtura në platformat cloud.

Wendt nënvizoi se këto të dhëna mund të jenë vendimtare për hetimet e SPAK, por marrja e tyre kërkon njohjen e procedurave ligjore dhe veprimin në kohë nga ana e prokurorëve.

“Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane. Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt”, deklaroi ambasadori.

Një nga çështjet ku Wendt u ndal veçanërisht ishte urgjenca për ruajtjen e provave dixhitale, pasi sipas tij, të dhënat mund të fshihen brenda një kohe shumë të shkurtër, duke rrezikuar ecurinë e hetimeve.

“Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm”, u shpreh ai.

Në kuadër të kësaj asistence, Shtetet e Bashkuara kanë sjellë në Shqipëri ekspertin e Departamentit amerikan të Drejtësisë, Taylor Phillips, i cili do të trajnojë profesionistët e sistemit të drejtësisë mbi procedurat për identifikimin, kërkimin dhe sigurimin e provave elektronike nga kompanitë amerikane.

Ambasadori amerikan e lidhi gjithashtu luftën kundër korrupsionit me klimën e investimeve në Shqipëri, duke theksuar se kompanitë amerikane janë të interesuara për sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia, por investimet kërkojnë besim te institucionet, kontratat dhe sistemi i drejtësisë.

Në përfundim, Wendt përcolli një mesazh për prokurorët dhe hetuesit shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes së gjurmëve dixhitale dhe financiare, edhe kur ato kalojnë kufijtë shtetërorë.

“Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave. Ky seminar ka për qëllim t’ju provojë që e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, deklaroi ambasadori amerikan në Tiranë.

About Redaksia

Check Also

Gjykata pezullon gjobën prej 500 mijë lekësh për 17-vjeçarin që doli në protestë

Një 17-vjeçar u gjobit me 500 mijë lekë nga Policia, vetëm pse mori pjesë në …