Mungesa e fuqisë punëtore, pensionet e pamjaftueshme dhe vështirësitë ekonomike po e kthejnë punën në një domosdoshmëri edhe për ata që duhet të gëzonin vitet e pensionit, shkruan Monitor.
Sipas të dhënave të referuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, më shumë se një e katërta e shqiptarëve mbi 65 vjeç janë aktivë në tregun e punës. Ky nivel është mbi trefishin e mesatares së Bashkimit Europian, duke e renditur Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit për këtë tregues.
Por pas kësaj shifre që mund të interpretohet si një tregues i pjesëmarrjes së lartë në ekonomi, fshihet edhe një realitet social: për shumë të moshuar, pensioni nuk garanton të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet mujore.
Popullsia po tkurret, të moshuarit po shtohen
Të dhënat demografike tregojnë se vendi po përjeton një ndryshim të thellë të strukturës së popullsisë. Sipas INSTAT, në vitin 2025 popullsia rezidente zbriti në rreth 2.36 milionë banorë, ndërsa bilanci neto i migracionit rezultoi negativ me 28,836 persona.
Ndërkohë, pesha e grupmoshës mbi 65 vjeç është rritur ndjeshëm. Nga 11.3% që përfaqësonin në vitin 2011, të moshuarit tashmë përbëjnë gati 20% të popullsisë.
Ky zhvillim shoqërohet me largimin e të rinjve, rënien e lindshmërisë dhe tkurrjen e fuqisë punëtore, duke krijuar presione të reja mbi ekonominë dhe skemën e pensioneve.
Pensionet, larg kostos së jetesës
Vështirësitë bëhen edhe më të dukshme kur krahasohen të ardhurat e pensionistëve me nivelin e nevojshëm për të shmangur varfërinë.
Sipas të dhënave të vitit 2025, pensioni mesatar i pleqërisë në qytet ishte rreth 20,123 lekë në muaj, ndërsa në fshat vetëm 12,313 lekë.
Këto shifra tregojnë hendekun e madh mes të ardhurave të të moshuarve dhe kostos së jetesës, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm dhe nuk kanë burime të tjera financiare.
Të rinjtë jashtë tregut, të moshuarit ende në punë
Një tjetër problematikë është përfshirja e ulët e të rinjve në ekonomi. FMN evidenton se Shqipëria vazhdon të ketë një nivel të lartë të të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim.
Kështu, vendi përballet njëkohësisht me dy realitete: të rinj që nuk arrijnë të integrohen në tregun e punës ose zgjedhin të emigrojnë dhe të moshuar që vazhdojnë të punojnë përtej moshës së pensionit.
Ky kontrast nxjerr në pah nevojën për politika që jo vetëm të krijojnë mundësi punësimi për brezat e rinj, por edhe të garantojnë të ardhura dinjitoze për pensionistët.
Në një vend që po humbet popullsinë dhe po plaket me ritme të shpejta, sfida nuk është vetëm gjetja e punonjësve për bizneset, por edhe garantimi i një jete dinjitoze për ata që kanë punuar për dekada.

Gazeta RD