Gjykata rrëzon vendimin e mazhorancës, reagon Bardhi: Rama kërkon një Kuvend pa opozitë! Përgjegjësit do të përballen me drejtësinë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës, e cila shfuqizoi përjashtimin 60-ditor të tij dhe deputetit Klevis Balliu nga punimet e Kuvendit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson vendimin e mazhorancës si një akt arbitrar dhe shkelje të të drejtave kushtetuese të opozitës, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama se synon një Kuvend pa zë kritik dhe një opozitë të nënshtruar.

Kreu i grupit parlamentar të PD paralajmëron gjithashtu përgjegjësi ligjore për Ulsi Manjën, Arkend Ballën dhe Saimir Hasallën, të cilët i identifikon si firmëtarë të vendimit të rrëzuar nga gjykata, duke theksuar se askush nuk mund të fshihet pas urdhrave politikë për t’iu shmangur ligjit.

Reagim i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Ndalimi arbitrar dhe me forcën e strukturave të sigurisë i deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit u konstatua sot nga gjykata si i paligjshëm. Ky vendim konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese nuk është thjesht një akt arbitrar, por një shkelje që cenon drejtpërdrejt demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Praktika të tilla antidemokratike janë të papranueshme për një vend që pretendon të jetë në rrugën e integrimit europian. Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian në letër, por sjellja e kësaj qeverie dëshmon një mentalitet politik që i përket një kohe tjetër: kohës së partisë-shtet, ku pushteti kërkon të kontrollojë gjithçka dhe opozita trajtohet si armik, jo si pjesë thelbësore e demokracisë.

Nuk habitem aspak nga kjo sjellje e shumicës parlamentare. Projekti politik i Edi Ramës duket se është një Kuvend pa opozitë, një pushtet pa zë kritik dhe një Shqipëri e nënshtruar ndaj vullnetit të një njeriu të vetëm. Por demokracia nuk është pronë e kryeministrit dhe Kuvendi nuk është oborri i tij personal!

Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë.

Le të mos kenë asnjë iluzion: pushteti është i përkohshëm, ndërsa përgjegjësia përpara ligjit mbetet. Dhe historia politike e Edi Ramës ka treguar se ata që sot përdoren për të zbatuar urdhrat e tij, nesër braktisen si leçkë prej tij. Askush nuk duhet të mendojë se do të mund të fshihet përgjithmonë pas urdhrit politik për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.

Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të përfaqësuar qytetarët. Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës dhe demokracia shqiptare nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij!

About Redaksia

Check Also

Agron Tufa nxjerr dokumentin/ Sigurimi i Shtetit e shpërbleu financiarisht Et’hem Fezollarin

Shkrimtari Agron Tufa, ish-drejtues i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ka …