Nga Bujar Leskaj
Sipas të dhënave të INSTAT-it, 39 përqind e familjeve tona, ose 2 në çdo 5 shqiptarë jetojnë në kushte varfërie absolute dhe relative, privimi social dhe material, ose në rrezik për të rënë në varfëri. Ky është një realitet tejet i hidhur, që duhet të na bëjë të marrim urgjentisht masa në mirëadministrimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Në një kohë kur Shqipëria përballet me sfida madhore sociale, ekonomike dhe institucionale, përdorimi i parasë publike është një tregues i drejtpërdrejtë i përgjegjësisë së qeverisjes ndaj qytetarëve, të cilën sekti Rama në pushtet e ka në nivel zero, si dhe i mënyrës se si shteti përcakton prioritetet e veta, në raport të drejtpërdrejtë me interesat e qytetarit.
Për këtë, në mbështetje të nenit 75 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, propozoj që në projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2027”, të bëhet ndryshimi, ku në nenin 11, pas pikës 7, të shtohet pika 8, me përmbajtje “Në buxhetin e vitit 2027, fondet e parashikuara për shpenzimet operative të qeverisjes qëndrore të planifikohen të paktën 20% më të ulta, krahasuar me planifikimin e buxhetit 2026. Nga ky rregull të bëjnë përjashtim fondet e dedikuara për pagesat e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, pagesat e shërbimeve që kanë lidhje me shëndetin, sigurinë kombëtare, rendin publik apo sigurinë e jetës dhe pronës”.
Këtë propozim e bëj, mbi bazën e arsyeve të mëposhtme:
I. Shpenzime operative faraonike- varfëri masive: një kontrast që nuk mund të pranohet më!
Sot, shqetësimi për keqpërdorimin e fondeve buxhetore nuk buron vetëm nga denoncimet e shumta të opozitës dhe të medias së pavarur, por edhe nga hetimet dhe ndjekjet penale që lidhen me administrimin e parave publike. Çdo rast abuzimi, çdo shpenzim i pajustifikuar dhe çdo kontratë e dyshimtë dëmton jo vetëm buxhetin, por edhe besimin e qytetarëve tek institucionet.
Duhet ndryshuar radikalisht mënyra e sotme se si në Buxhet shpenzohet paraja e taksapaguesve shqiptarë, duke e nisur nga shpenzimet operative.
Kur një pjesë e konsiderueshme e familjeve shqiptare përballen me vështirësi për të përballuar ushqimin, energjinë, kujdesin shëndetësor apo nevojat bazë të fëmijëve, ky sekt qeverisës nuk mund të sillet sikur burimet financiare të Buxhetit janë të pakufizuara!
Administrata publike duhet të shpenzojë më pak për veten dhe më shumë për qytetarët. Ulja e shpenzimeve operative, riparimeve të panevojshme, rinovimeve luksoze të zyrave dhe kostove administrative duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të Buxhetit të Shtetit për vitin 2027. Mjaft me luksin administrativ! Është koha për kursim dhe përgjegjësi publike!
Në kushtet kur ekonomia shqiptare përballet me sfida të rëndësishme sociale, kur qindra mijëra familje kanë vështirësi për të përballuar shpenzimet e përditshme, është e papranueshme që administrata publike të vazhdojë të shpenzojë para me një mentalitet sikur buxheti i shtetit të jetë një burim i pafundëm.
Kemi nevojë urgjente për një ndryshim të filozofisë së shpenzimeve publike. Buxheti nuk mund të kërkojë më shumë sakrifica nga qytetarët, ndërkohë që vetë nuk tregon të njëjtën përgjegjësi dhe disiplinë në administrimin e parave të tyre.
Prej 14 vitesh tashmë, në administratën tonë publike janë bërë të zakonshme shpenzime që ngrenë pikëpyetje serioze mbi domosdoshmërinë dhe eficiencën e tyre.
Riparime të përsëritura, rinovime të ambienteve të brendshme, lyerje fasadash, blerje mobiliesh, pajisje të reja zyrash, shpenzime administrative, dieta, udhëtime jashtë vendit dhe marrje me qira të ambienteve private janë disa nga zërat që kërkojnë një kontroll të rreptë financiar.
Nuk bëhet fjalë për të mohuar nevojën e mirëmbajtjes së institucioneve publike. Por duhet të bëjmë një dallim të qartë mes mirëmbajtjes së domosdoshme dhe shpenzimeve të luksit.
Kur një zyrë rinovohet disa herë brenda pak vitesh, kur mobiliet zëvendësohen pa qenë të amortizuara, kur me dhjetra institucione publike të ndryshme marrin me qira ambiente private ndërkohë që shteti disponon prona të pashfrytëzuara, atëherë kemi të bëjmë me një problem të eficiencës së administrimit të parasë publike.
Një zyrë më luksoze nuk do të thotë një administratë më efiçiente. Një fasadë më e bukur nuk do të thotë një shërbim më i mirë për qytetarin.
II. Buxheti 2027 duhet të jetë buxheti i kursimit!
Propozimi që në Buxhetin e Shtetit për vitin 2027 të ndërmerret një reduktim i ndjeshëm i shpenzimeve operative të administratës publike, me objektiv uljen me 20% të fondeve përkatëse të qeverisjes qendrore, krahasuar me buxhetimin e vitit 2026, kërkon një analizë të detajuar të shpenzimeve operative të çdo institucioni qendror, duke identifikuar fondet që mund të kursehen, pa cënuar ofrimin e shërbimeve publike.
Në mënyrë të veçantë, duhet të reduktohen shpenzimet për riparime dhe rinovime jo të domosdoshme të zyrave, fondet për lyerjen dhe rikonstruksionin estetik të fasadave, kur nuk lidhen me sigurinë e ndërtesave, blerjet e mobilieve dhe pajisjeve që nuk janë të nevojshme, shpenzimet për dieta, udhëtime dhe delegacione jashtë vendit, kostot e marrjes me qira të ambienteve private, kur ekzistojnë alternativa më ekonomike, shpenzimet për ceremoni, pritje, dekorime dhe aktivitete administrative jo thelbësore, si dhe kontratat e shërbimeve që mund të racionalizohen ose të ofrohen më ekonomikisht.
Këto shpenzime duhet të kalojnë në një filtër të ri të domosdoshëm: A janë të domosdoshme? A sjellin përfitim konkret për qytetarët? A mund të realizohen me më pak para?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë ato nuk duhet të financohen nga taksat e qytetarëve!
III. Jo administratës së tejfryrë!
Administrata shtetërore nuk duhet të jetë një strukturë që zgjerohet vazhdimisht, krijon njësi të reja, shton pozicione drejtuese dhe rrit kostot e veta, pa një vlerësim të qartë të rezultateve.
Nevojitet një analizë e plotë e strukturave institucionale, e numrit të punonjësve, e funksioneve që mbivendosen dhe e shërbimeve që mund të ofrohen në mënyrë më të drejtpërdrejtë, përmes digjitalizimit.
Qëllimi nuk është shkurtimi i verbër i vendeve të punës, por krijimi i një administrate më të vogël aty ku ka mbivendosje, më profesionale, më të motivuar dhe më produktive.
IV. Paratë e kursyera të shkojnë tek qytetarët
Sipas përllogaritjes paraprake të kësaj nisme, një reduktim prej 20 përqind i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore do të krijojë një hapësirë financiare prej rreth 250 milionë eurosh.
Kjo shumë, nëse konfirmohet nga analiza e detajuar e zërave buxhetorë, do të përfaqësonte një mundësi të rëndësishme për të ndryshuar drejtimin e shpenzimeve tona publike.
Propozoj që fondet e kursyera të rialokohen në mënyrë transparente për tri prioritete kryesore:
A. Rritja e pagave në administratën publike
B. Shtimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë
C. Mbështetje më e madhe për personat me aftësi të kufizuara
xxx
Në vend që të shpenzojmë më shumë për pamjen e institucioneve, duhet të investojmë më shumë në dinjitetin e qytetarëve. Në vend që të rinovojmë vazhdimisht zyrat, duhet të përmirësojmë jetën e familjeve tona.
Paraja publike nuk është para e qeverisë. Është para e qytetarëve dhe duhet të kthehet tek qytetarët në formën e shërbimeve, pagave dinjitoze dhe mbështetjes për ata që kanë më shumë nevojë.
Gazeta RD