Për krerët e shteteve që vizitojnë Shtetet e Bashkuara, pika kryesore e programit të tyre është zakonisht një vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Për kryeministrin hungarez Viktor Orban muajin e ardhshëm, pika kryesore e axhendës së tij do të jetë mbajtja e një fjalimi në një konferencë të aktivistëve konservatorë në Dallas.
Pjesëmarrja e kryeministrit Orban në Konferencën e Veprimit Politik Konservator, në të cilën do të flasin edhe ish-presidenti Donald Trump dhe ikona të tjera të krahut të djathtë si ligjvënësja Marjorie Taylor Greene, është treguesi më dramatik deri më tani se si një udhëheqës i kritikuar për mbështetjen e parimeve antidemokratike është bërë hero i një segmenti të Partisë Republikane.
Zoti Orban ka frenuar imigracionin dhe ka penguar përpjekjet e atyre që duan një demokraci evropiane më të moderuar për vendin e tyre. Ai e ka bërë këtë duke marrë kontrollin e gjyqësorit dhe medias hungareze, duke bërë që shumë analistë ndërkombëtarë ta cilësojnë atë si përfaqësuesin kryesor të një vale të re autoritarizmi. Ai gjithashtu akuzohet se ka mundësuar përhapjen e korrupsionit dhe nepotizmit, duke përdorur burimet shtetërore për të pasuruar një rreth të ngushtë aleatësh politikë.
Përqafimi i zotit Orban nga lëvizja konservatore amerikane u bën jehonë gënjeshtrave të zotit Trump se ai nuk i humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ndëshkimit të republikanëve që u përpoqën ta mbanin atë përgjegjës për sulmin e 6 janarit në Kapitol dhe përpjekjeve për të vendosur kufizime të reja ndaj votimit. Shumë ekspertë të politikës hungareze kanë frikë se Partia Republikane mund të aspirojë taktikat e zotit Orban.
“Krahu pro-Trump i Partisë Republikane po ndjek këtë retorikë, por duke mbështetur autokracinë”, thotë Kim L. Schepple, sociologe në Universitetin Princeton që ka studiuar politikat e zotit Orban. “Jam e shqetësuar se mbështetja për Orbanin është vetëm sipërfaqësisht pjesë e luftës kulturore dhe më thellë një përpjekje për të mësuar se si të parandalohet rënia e pushtetit nga duart e tyre.”
Konservatorët e hedhin poshtë këtë nocion dhe akuzën se Viktor Orban është autoritar.
“Ajo që na pëlqen tek ai është se ai në fakt po mbështet lirinë e popullit të tij kundër tiranisë së BE-së”, thotë Matt Schlapp, kreu i Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC), e cila këtë vit do të mbahet në Dallas, duke filluar nga 4 gushti. “Ai ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, duke përfshirë shumë njerëz në Amerikë që janë të shqetësuar për rënien e vlerave të familjes.”
Kjo konferencë është një platformë takimi për aktivistët dhe personazhet, krijimin e strategjive të reja, frymëzimin dhe forcimin e rrjetit konservator. Në fillim të këtij viti, CPAC mbajti takimin e parë në Evropë, duke zgjedhur Hungarinë si vend mikpritës. Atje, zoti Schlapp e ftoi zotin Orban të fliste në mbledhjen e Teksasit. Vitin e kaluar, ylli i kanalit Fox News, Tucker Carlson, transmetoi emisionin e tij të lajmeve nga Budapesti.
Viktor Orban shërbeu si kryeministër i Hungarisë në vitet 1998-2002, por politikat e tij të ndjekura pasi rikthimit të tij në pushtet në vitin 2010, janë ato që kanë shkaktuar polemika. Një kampion i vetëquajtur i asaj që ai e përshkruan si “demokraci joliberale”, Orban e ka përshkruar veten si një mbrojtës i të ashtuquajturit krishtërim evropian kundër migrantëve myslimanë, progresistëve dhe “lobit LGBTQ”.
Ndërsa partia e zotit Orban ka mbështetur iniciativat teknokratike që kanë kapur imagjinatën e së djathtës amerikane, si për shembull një ulje të taksave që gratë hungareze marrin për çdo fëmijë si një mënyrë për të frenuar një pakësim të mëtejshëm të popullsisë, ai njihet më së shumti për qëndrimin e tij agresiv për çështje të debatueshme kulturore.
Qeveria e zotit Orban ngriti një gardh me tela me gjemba përgjatë kufirit jugor të Hungarisë në vitin 2015 në përgjigje të një fluksi refugjatësh që po iknin nga dhuna dhe varfëria në Irak, Siri, Afganistan dhe gjetkë. Tucker Carlson vizitoi barrierën kufitare, duke e vlerësuar atë si një model për Shtetet e Bashkuara.
Vitin e kaluar, partia e krahut të djathtë, Fidesz, e udhëhequr nga zoti Orban ndaloi shfaqjen në media dhe shkolla të përmbajtjeve homoseksuale ose atyre të ndryshimit të seksit që synonin personat e moshave nën 18 vjeç, një veprim që kritikët thanë se ishte një sulm ndaj komunitetit LGBTQ.
Këto politika e kanë vënë atë në një kurs përplasjeje me Bashkimin Evropian, i cili ka sfiduar disa nga prirjet e tij më antidemokratike. Blloku ka nisur procedura të shumta ligjore kundër Hungarisë për shkeljen e rregullave të BE-së dhe tani po mban miliarda fonde rikuperimi dhe kredie për shkelje të standardeve të sundimit të ligjit dhe masave të pamjaftueshme mbrojtëse kundër korrupsionit.
Këto konflikte filluan herët në mandatin e zotit Orban. Në vitin 2011, partia Fidesz përdori dy të tretat e shumicës kushtetuese që fitoi pas zgjedhjeve dërrmuese të një viti më parë për të rishkruar në mënyrë të njëanshme kushtetutën e Hungarisë. Menjëherë pas kësaj, ajo filloi të minojë institucionet e vendit dhe ndërmori hapa për të konsoliduar pushtetin.
Partia e kryeministrit hungarez zbatoi reformat në drejtësi përmes amendamentit kushtetues, që i mundësuan asaj ndryshimin e përbërjes së gjyqësorit. Ai miratoi gjithashtu një ligj të ri që krijoi një këshill prej nëntë anëtarësh për të mbikëqyrur mediat dhe emëroi anëtarët.
Organizata Gazetarët pa Kufij e quajti Orbanin një “grabitqar të lirisë së shtypit” vitin e kaluar. Organizata tha se partia e tij Fidesz kishte “kapur de facto kontrollin e 80% të mediave të vendit nëpërmjet manovrave politiko-ekonomike dhe blerjes së organizatave të lajmeve nga oligarkët miq”.
Associated Press (AP) dhe organizata të tjera ndërkombëtare të lajmeve u ndaluan të mbulonin konferencën CPAC në muajin maj, gjatë së cilës zoti Orban e quajti Hungarinë “bastionin e vlerave konservatore të krishtera në Evropë”. Ai gjithashtu u bëri thirrje konservatorëve në SHBA që të mposhtin “dominimin e liberalëve progresistë në jetën publike”.
Analistët vërejnë se Hungaria nuk ka tiparet tradicionale të autokracive. Nuk ka tanke në rrugë dhe asnjë disident politik të mbyllur në burgje. Partia Fidesz ka vazhduar të fitojë zgjedhjet – megjithëse në disa raste është bërë jashtëzakonisht e vështirë për ligjvënësit e tyre të humbasin falë një procesi të ngjashëm me atë në SHBA që aktualisht favorizon republikanët sepse ata kontrollojnë më shumë nga legjislaturat shtetërore që krijojnë kufijtë për zonat e votimit.
Megjithatë, ekspertët thonë se kontrolli pothuajse total i zotit Orban mbi vendin e tij e bën atë një pionier të një qasjeje të re ndaj sundimit antidemokratik.
“Unë kurrë nuk kam parë një autokrat të konsolidojë një sundim autoritar pa derdhur një pikë gjaku ose pa mbyllur dikë brënda,” tha Steven Levitsky, profesor i shkencave politike në universitetin e Harvardit dhe bashkëautor i librit “Si vdesin demokracitë”. Ai dhe studiues të tjerë thanë se Orbani kualifikohet si autoritar për shkak të përdorimit të qeverisë për të kontrolluar institucionet shoqërore.
Peter Kreko, një hulumtues në Budapest me Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, tha se prirjet antidemokratike të kryeministrit Orban nuk do të jenë një çështje e rëndësishme në përpjekjen e tij për të krijuar një aleancë me konservatorët amerikanë. Afërsia e tij me Rusinë dhe Kinën do të jetë një çështje shumë më e mprehtë, argumentoi zoti Kreko.
Hulumtuesi Kreko tha se qeveria e zotit Orban është gjithnjë e më shumë e izoluar diplomatikisht, por nuk është munduar gjithashtu të përpiqet të krijojë lidhje me administratën e presidentit Biden –duke shpresuar se ish-presidenti Trump ose aleatët e tij së shpejti do të kthehen në pushtet.
“Kjo është shpresa e tij e madhe për t’u rikthyer në skenën ndërkombëtare, pasi nuk ka aq shumë aleatë që i mbeten,” tha zoti Kreko për Orbanin.
Zoti Schlapp e hedh poshtë idenë se Hungaria është jodemokratike, duke vënë në dukje se partia e zotit Orban vazhdon të fitojë zgjedhjet dhe duke kujtuar me nostalgji udhëtimin e tij në Budapest. Ai tregoi sesi grupi i tij humbi rrugën në një zonë në kryeqytetin e lashtë hungarez.
“Nëse do të ishim në Çikago ose Los Anxhelos, do të kisha qenë i frikësuar për vdekje,” tha ai.
Por jo në Hungari: “Aty ka rregull, gjithçka funksionon, është praktike, është e pastër”.