SHBA: Shqipëria, një nga vendet më të korruptuara në Botë

Departamenti i Shtetit në SHBA lëshoi deklaratën e Klimës së Investimeve me 2022 për Shqipërinë, në të cilën thuhet se, pavarësisht një kuadri ligjor të shëndoshë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

Ata përmendin korrupsionin endemik, përfshirë gjyqësorin dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri” thuhet në deklaratën përmbledhëse të DASH.

Më tej vihet në dukje se, raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë nga SHBA janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme si me entet publike ashtu edhe me ato private dhe disa shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar” thuhet në raportin e DASH.

Raporti i konsideron të drejtat e pronësisë sfiduese në Shqipëri, sepse një titull pronësie i qartë është i vështirë për t’u marrë. ‘Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë joefikas dhe i pamjaftueshëm”, thuhet në raport.

Më tej DASH vë në dukje se, në përpjekje për të kufizuar mundësitë për korrupsion, Qeveria Shqiptare filloi një reformë gjithëpërfshirëse për dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve publike. Që nga marsi 2021, 1200 shërbime ose 95 për qind e të gjitha shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset ishin të disponueshme online nëpërmjet Portalit E-Albania . Megjithatë, Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Në vitin 2021, Shqipëria ra në vendin e 110-të nga 180 vende, një rënie prej gjashtë vendesh nga viti 2020. Shqipëria vazhdon të renditet e ulët në Indeksin Global të Inovacionit, duke u renditur në 84 nga 132 vende.

About Redaksia

Check Also

U gjetën 240 mijë euro fatura vetëm për garderobën e Ajolës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin e organizuar nga dega e PD Kamëz vazhdoi akuzat …

Leave a Reply