Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me banorët e Gramshit u shpreh se, qeveria e Ramës ka injoruar këtë qytet ndërsa shtoi se projektet e qeverisë së PD-së, u braktisën nga kryeministri Edi Rama.
“Gramshi është një rreth me potenciale të mëdha, qoftë turistike, por ka edhe potenciale të mëdha në frutikulturë. Gramshi është zonë në të cilën rriten drurë frutore më të kërkuara dhe më të çmuara.
Është një nga epiqendrat më kryesore të arrorëve dhe fikut. Por ato projekte mbetën aty ky ishin, dhe nuk u stimuluan më, në mënyrë që fermerët e Gramshit të begatonin, prosperonin.
Gramshi ka lumenj, liqene e gjithë ato bukuri turistike. Njëra prej tyre është ujëvara e Sotirës dhe Sotira si fshat e shpallur në 100 fshatrat për tu investuar, por 1 km rrugë nuk është shtruar nga Edi Rama.
Isha në Pukë para 1 jave. Edhe atje, Qelzën e kishin shpallur fshat turistik, por njëlloj si në Sotirë, përveç emrit dhe shpalljes, asnjë lloj investimi.
Në këtë aspekt Gramshi është një zonë e harruar dhe injoruar nga kjo qeveri, e cila mban ndaj qytetarëve shqiptarë, një qëndrim shpërfillës, ç’njerëzor dhe ndaj fermerëve shqiptarë një qëndrim armiqësor”, deklaroi Berisha.