Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Elbasan se Tirana renditet në 10 qytetet më të ndotura në botë.
Gjithashtu Berisha theksoi se, për fatin më të keq, Tirana renditet edhe në dhjetëshen e qyteteve me shërbimin shëndetësor më të keq dhe kjo do të thotë se risqet në këtë terren janë shumë më të mëdha.
“Tirana rezulton në 10 qytetet më të ndotura të botës. Nga 255 qytete, Tirana renditet e 245 dhe rezulton për fatin më të keq, po në dhjetëshen e qyteteve me shërbimin shëndetësor më të keq. Kjo do të thotë se risqet në këtë terren janë shumë më të mëdha. Dëmet e tyre bëhen shumë më të mëdha.
E gjitha kjo është bërë nga dora e njeriut. Nëse Tirana rezulton sot, në 10 qytetet më të ndotura të botës, një nga faktorët më përcaktues është organizimi i trafikut në Tiranë, i cili është një organizim se si të ndotë qytetin më shumë. Një papërgjegjshmëri njerëzore”, tha Berisha.