Edi Rama, ka thënë në Këshillin e Evropës, se shumë njerëz në Shqipëri e Kosovë mendojnë se ai është agjent serb. Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas reagimeve të përfaqësuesve të disa prej shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, pas thirrjes së tij që vendet perëndimore t’i rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara.
Përfaqësues të Serbisë, Rumanisë dhe Greqisë i kanë quajtur të pakuptimta kërkesat e tij dhe deklaratat në emër të Kosovës. Mirëpo, Rama ka thënë se ai vetëm po ndan fakte.
‘Nuk është e patakt që të ndash me ju thjeshtë fakte dhe mund ta imagjinoj e ta kuptoj për në fakt i vetmi person që do të kuptoja nga ato që dëgjova është kolegia serbe, ajo natyrisht është e tronditur sepse do t’i duhet shumë kohë të jetojë me këtë, të bëjë njohjen e Kosovës dhe të ndërtojë së bashku me Kosovën një të ardhme të përbashkët në paqe. Ka shumë njerëz në Shqipëri e Kosovë që mendojnë se jam agjent serb. Jam krenar që i shërbej të vërtetës. Kur e vërteta ime është e mirë për Serbinë, është e mirë, kur nuk është e mirë është po prapë mirë. Unë pretendoj se jap të vërtetën e kombit tim që e përfaqësoj me krenari’, ka thënë Rama.
Rama deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, se ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bënë luftë të pastër dhe të ndershme, ndërsa tha se akuzat që iu ngritën, ishin pjesë e imagjinatës njerëzore.
Rama kohëve të fundit është kritikuar shumë për afërsinë e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai në disa raste edhe ‘e ka mbrojtur’ Vuçiçin në lidhje me hezitimin e Beogradit zyrtar për të mos i vënë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Rama e ka arsyetuar Vuçiçin se, ‘nuk e ka lehtë’ dhe për këtë është kritikuar në Kosovë e Shqipëri.