Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të disa prej anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme ët Këshillit të Europës të cilët refuzuan të shkojnë në darkën e shtruar nga misioni shqiptar në Strasburg, pas fjalimit me tone kritike te kreut te qeverise shqiptare.
Rama thekson se ata kishin konfirmuar më parë pjesëmarrjen, por e anuluan atë me arsyetimin se “nuk ndiheshin mirë” pas fjalimit të kryeministrit.
Kryeministri ka theksuar se qëndrimi i tyre është i mirëkuptueshëm, pasi sipas tij “S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!”
Edi Rama: Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja.
E mirëkuptueshme.
S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!
Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.
Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra!