Nga Alba KEPI
Mbi Pyrg!
Për banorët autoktonë të Tiranës ky vend njihet me emrin Pyrgu i Sahatit ose pirgu; Pika e lartë orientuese e vrojtuese e qytetit.
Dikur ishte zemra pulsuese e Tiranës, ngritur pranë vend faljes së besimtarëve, xhamisë, merkatës, barnatoreve ( farmacive), rrugës kryesore “28 Nandori”, agjensisë së udhëtimit “Andria Aereo Lloyd”, pranë hoteleve luksoze, lulishteve, fletoreve (seli gazetash).
Ishte pika orientuese e referuese më e lartë e qytetit.
Sot e quajnë Kulla!
Nga Pyrg është bërë turrë gjërash të hedhura mbi njëra-tjetrën, o garrumbull sendesh të harruara si në një breg, apo dengje plackash në shitje tek tregu.
Pyrgu i Sahatit nuk u zgjodh rastësisht të ndërtohej aty.
Ngritur 20 metra në jug-lindje të xhamisë, në mbrëmje hija e minares reflektohet në mes të faqes perëndimore të Sahatit, e tregon momentin e perëndimit të diellit.
Ky ishte sinjali se duheshin mbyllur dyert e carshisë.
Pyrgu i Sahatit mbante emrin e ndërtuesit të saj, Haxhi Ethem Beu, i cili e nisi ta ndërtoj me shpenzimet e tij dhe e përfundoi me kontributin që dhanë banorët.
Sahati është ndërtuar me të njëjta gurë të latuar (të lemuar, të skalitur), që është ndërtuar dhe xhamia e Ethem Beut.
Ka një planimetri katërkëndëshe 3.68m x 3.60m.
Hapësira e brendshme e shkallëve është 1.72m x 1.71m e ballkoni i jashtëm lidhet me to përmes katër dyerve.
Sot ky ballkon e 90 shkallët e hekurta që të ngjisin tek ai, janë mbuluar nga puplat e glasat e pëllumbave.
Një zonjë me cantë në krah, e ulur me gazetë nën b… tek dy shkallët e para të Sahatit, është roja, lektorja o historiane e kësaj pike strategjike muzeale, Monument Kulture i nivelit të parë e Simbol i qytetit.
Me telefonin nën buzë, përfshirë në një bisedë emocionale, me buzëqeshje më lejoj të ngjitesha ta vizitoja .
E falenderova!
Ishte e sjellshme dhe plotësisht e vërtetë.
C’duhej ajo aty ku gjithcka i ishte lënë fatit e pëllumbave?!
“Kur të zbresësh, mos i lë hapur dyert”, më tha.
Fatkeqësisht kur u ngjita, dy nga katër dyert e Sahatit ishin të hapura e pëllumbat fluturonin e dhi..nin të qetë nëpër këto shkallë gati 1 shekullore, e shiu kullonte dyshemese.
Më 1996, kur u vendos që Sahati të bëhej Muze, Drejtori i Muzeve te Tiranes, thirri zjarrëfikëset për ta pastruar e higjenizuar hapësirën e brendshme e cila kishte shumë vite e kycur.
Presioni i ujit i riktheu jetën, gurëve të latuar e shkallëve.
Sot 25 vite më pas zjarrefikëset duhen rikthyer përsëri! Iu duhet të heqin llumin e një jetese pa rregulla e ligje.
Xhamia e Ethem Beut e Pyrgu i Sahatit kanë pothuajse të njëjtën lartësi rreth 30 metra.
Nga ballkoni i Sahatit sheh Tiranën 360 gradë.
Pëllumbat të bëjnë shoqëri e ngjajnë me lajmësit e shpirtrave të banorëve të hershme që fluturojnë me amanetin për të mos e lënë vetëm këtë vend.
Pirgu i Sahatit ofron nga lartësia e tij pirgje jete, nën, mbi o bërryl bërryl me njëri-tjetrin!
Ndërtuesi i Pyrgut të Sahatit, Haxhi Ethem Beu, trashëgimtar i Sulejman Pashë Bargjinit , babait të qytetit, ndërtoi në Tiranë xhaminë e Ethem Beut dhe një medrese pranë saj, por që nuk mundi ta përfundoj pasi u nda nga jeta më 1848.
Kur zbrita, zonja roje, lektore o giudë turistike, vazhdonte të mbante telefonin nën buzë.
I thashë; “Dyert ishin të hapura. I mbylla”!
Buzëqeshi prapë.
“Sa e vërtetë!, mendova, duke u ndjerë në faj se ia ndërpreva bisedën telefonike!