Nga Elona CASLLI
Kohë më parë pata shkruar se shoferi i Maringlen Qatos në Bashkinë e Tiranës, që shpërndante drogë nëpër Tiranë pasditeve me makinën e institucionit, shumë shpejt do të gjendej në zyrat e shtetit dhe do të ishte mbi kokën e çdo shqiptari.
Nuk vonoi shumë dhe Erisa Fero, punonjëse te AKSHI, një vajzë 28 vjeçe kapet me 58 kg lëndë narkotike. E theksoj 28 vjeçe.
Erisa nuk është e vetme. Erisa është një model që gjendet në çdo zyrë të administratës publike. Le të ndalemi për një çast dhe të mendojmë. Edi Rama ka marrë mandatin e parë si kryemimistër në vitin 2013. Saktësisht 10 vite më parë. Erisa 10 vite më parë ka qenë 18 vjeç. Ka qenë maturante. Ka ndjekur studimet e larta në një degë të caktuar në një universitet. Ka kryer studimet dhe tesera e partisë i ka mundësuar menjëherë punësimin.
Erisa nuk ka kryer aspak procesin e asaj që italianët e quajnë ” gavetë”. Nga bankat e shkollës ka fluturuar direkt në zyrën e shtetit dhe me shumë gjasa direkt në post drejtoreshe. Me arrogancën tipike të të rekrutuarve partiakë në administratën shtetërore, ka kaluar orët e saj mes instagramit dhe fejsbukut duke postuar fotot më të bukura në restorant apo në plazh dhe duke u kujtuar vartësve të saj se rroga e tyre mujore është në duart e saj dhe se po të donte ajo ua hiqte. Vartësit në këtë rast mund të kenë qenë edhe 50 vjeç dhe kanë mbi kokë fëmijën e tyre me moshë që u kërkon llogari mbi orarin se për gjë tjetër nuk di të kërkojë llogari.
Vitet kanë kaluar dhe siguria që të jep tesera e partisë është shtuar vit pas viti për Erisën. Erisa ndihet një gjysmë Zoti në zyrat e shtetit. Erisa është e paprekshme. Erisa mund të bëjë gjithçka. Erisa mund të shpërndajë dhe lëndë narkotike.
58 kg lëndë narkotike në duart e një vajze 28 vjeç. Po të këmbehej sasia e lëndës narkotike me vitet e Erisës, pra që një grua 58 vjeçe të shpërndante 28 kg lëndë narkotike, do kishte më kuptim, sepse një grua 58 vjeçe është shumë më e sprovuar në jetë se një vajzë 28 vjeçe. Falë përvojës Rilindase Erisa i paraprin moshës së saj dhe merr guximin të shpërndajë 58 kg lëndë narkotike.
Lind pyetja: Nga e merr gjithë këtë guxim Erisa?! Guximi i Erisës buron nga tesera e partisë që i dha vendin e pamerituar të punës, që e nginji me rrogën dhe shpërblimet e pamerituara për plot 8 vite dhe që në një çast të caktuar e hodhi tutje si një limon të shtrydhur. Erisat kanë afat skandence gjithmonë. Një Erisë duhet të zëvendësohet gjithmonë nga një Erisë tjetër më e re, më e freskët dhe më pak e përdorur.
Ky është modeli Rilindas. Vota për Rilindjen është votë për një Erisë më shumë që do të jetë përgjegjësja apo drejtoresha që do të keni mbi kokë. Vota për Rilindjen do të jetë shoferi i bashkisë që shpërndan drogë dhe që do të gdhihet drejtori juaj nesër dhe jo vetëm do t’ju urdhërojë dhe do t’ju poshtërojë, por mund t’ju godasë dhe nuk do të keni ku ta denonconi, pasi për sa kohë sundon mafia, drejtësia është vetëm një fjalë në fjalor dhe asgjë më shumë.
Post Scriptum- Kjo është kartolina që do të marrë çdo fundvit secili nga ne, për sa kohë mafia do të qeverisë.