Nga Elona CASLLI
Erion Veliaj duke qenë se je i vetëdijshëm për gjymtimin që i ke bërë kryeqytetit dhe për të gjitha skandalet plaçkitëse që mbajnë emrin tënd, ke filluar së fundmi metodën e viktimizimit në pamundësi për të përligjur kullëzimin, vjedhjen dhe shkatërrimin.
Përpiqesh para shqiptarëve të paraqitesh si viktimë, kur në të vërtetë je xhelat. Në ligjëratë të drejtë thua; Kur një jetim si unë, i ardhur në Tiranë që ka shitur fiq u bë kryetar bashkie, do të thotë se ky qytet nuk ka barriera.
Është e vërtetë se të qenit jetim, paraqet një mungesë të theksuar në jetën e një fëmije, por kjo nuk do të thotë se përbën medoemos një situatë penalizuese në jetën e dikujt dhe ndaj nuk vlen të nënvizohet si argument. Ka jetimë që ia kanë dalë denjësisht në jetë dhe nuk e kanë përdorur fatin e tyre për viktimizim publik.
Kjo shitja e fiqve mbetet ende mister, pasi është e paqartë koha kur janë shitur fiqtë dhe në cilin vend, sikundër mbetet i paqartë kapërcimi nga shitja e fiqve te studimet në Amerikë.
Mister i pazbuluar mbetet ende dasma në kala, që u organizua me kursimet e mamasë sate. Mamaja jote duhet të marrë çmimin ‘Nobel’ në ekonomi për sa kohë ka arritur të kursejë miliona lekë në cilësinë e një njeriu që nuk ka pasur kurrë biznes në Shqipëri.
Viktimizimin tënd artificial e thellon ende teksa thua se njerëzit të sulmojnë se nuk je nga Tirana.
Shkatërrimin e Tiranës ti nuk e bërë se nuk ishe nga Tirana. E bëre se je rrugaç. Tiransit nuk të gjykojnë për prejardhjen tënde, por për rrugaçërinë tënde.
Njoh dhjetra djem e vajza që nuk janë nga Tirana dhe që kanë ardhur të kryejnë studimet në një universitet në Tiranë. Kanë jetuar në konvikt, kanë përballuar sfidat e panumërta që hasen kur je larg shtëpisë, janë diplomuar dhe kanë ngritur jetën e tyre denjësisht dhe paqësisht në Tiranë pa cënuar askënd. Njërit prej tyre do ia besoja pa më të voglën mëdyshje drejtimin e bashkisë, pasi në ndryshim nga ti Erion Veliaj, ata janë njerëz që janë ngritur ndershmërisht mbi djersën e tyre dhe jo mbi gënjeshtrën dhe hajdutërinë.
Pra të qenit jetim, apo i ardhur në Tiranë nuk i shërbejnë viktimizimit tënd artificial. Problemi yt Veliaj është që ti je ai që Sabato e quan ‘ Ateist i atdheut”.
Sabato do të shkruante- Ateistët e vërtetë janë mospërfillësit, cinikët. Ata që mund t’i quajmë ateistë të atdheut janë kozmopolitët, ata individë që jetojnë këtu, njësoj sikur të jetonin edhe në Paris apo në Londër. Ata jetojnë në një vend çfarëdo sikur të ishin në një hotel.”
Post Scriptum- Nuk është problemi se je i ardhur në Tiranë Veliaj. Problemi është se je i ardhur nga rrugaçëria.