Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e Altin Morinës, me detyrë shefi i stërvitjes së repartit special RENEA. Morina u arrestua nga kolegët e tij, pasi në automjetin me të cilin po lëvizte, tip Audi, iu gjet një shume e konsiderueshme parash.
Paratë u gjetën në një qese plasmasi dhe ishin rreth 113 mijë euro, rreth 290 mijë lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Burimet bëjnë me dije se Altin Morina ishte pikasur pasi dyshohet se ka pasur kontakte me persona të botës së krimit.
Ndërkohë kjo nuk është hera e parë që Altin Morina përfundon në pranga.
Në vitin 2015, Altin Morina ka qenë pjesë e FNSH-së, dhe pas një konflikti me një person tjetër, është arrestuar nga policia.
Nga komisariati i Ballshit tek lidhjet me fajdet
Altin Morina, shefi i Trajnimeve në repartin më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, RENEA, atje ku objektivi janë personat me rrezikshmëri të lartë, dyshohet se e ka kaluar vijën e kuqe që ndan zbatimin e ligjit nga shkelja e tij. Vetë kolegët e tij e arrestuan në zonën e Kodrës së Diellit, me një makinë tip Audi SQ8, vlera e të cilës i tejkalon pagën e tij vjetore te RENEA. Përveç vlerës së makinës, ai kishte me vete një shumë para cash prej 120 mijë euro.
Në një qese supermarketi ai kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan nga policia. Në momentin e arrestimit, ai nuk ka bërë rezistencë dhe është shoqëruar në ambientet e drejtorisë vendore të Policisë Tiranë, ndërsa informacionet për këtë çështje janë ruajtur me “hermetizëm” në radhët e policisë.
Arrestimi i tij, do ti shërbejë Policisë për të gjetur dhe identifikuar të tjerë efektivë të RENEA që mund të jenë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme.
Por kush është Altin Morina? 39-vjeçari është prej vitesh pjesë e strukturës policore. Karriera e tij ka nisur në strukturën e sotme të AMP, (Agjencia e Mbikqyrjes Policore), ish-SHÇBA e dikurshme. Altin Morina punoi në vitin 2012 në SHçBA dhe më pas kaloi në radhët e Policisë, ku qëndroi si oficer në Komisariatin nr.3 në Tiranë. Nga atje, karriera e tij njohu vetëm rritje, pasi më pas drjetoi komisariatin e Policisë në Ballsh. nga Ballshi, Morina kaloi në RENEA ku ishte në detyrë deri në momentin e arrestimit.
Ai sot akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e shumës së madhe të parave që efektivi i policisë kishte me vete. Ka dyshime se përvecc lidhjes me eksponentë të caktuar të krimit në Shqipëri, ish-efektivi mund të ketë qenë i përfshirë në dhënien e parave me fajde. Arrestimi i tij është një tjetër alarm për përbërjen e trupës policore, ku Morina është i disati efektiv i RENEA-s që kapet në shkelje të ligjit.