Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi, ka folur në studion e Top Neës, për prioritetet e programit të tij që do të sjellin ndryshim në qytet dhe do të zbusin koston e rëndë të jetesës.
Këlliçi theksoi se transporti publik falas do të realizohet dhe do të jetë një realitet. Ai tha se ky projekt ndikon në jetën e përditshme të 200 mijë banorëve, që janë pjesa më në nevojë në Tiranë e që luftojnë për të mbyllur muajin. Transporti publik kursen afërsisht 50 mijë lekë në muaj për një familje.
Këlliçi po ashtu është ndalur tek masat që ai parashikon për lehtësimin e trafikut, që është një nga gangrenat më torturuese për qytetarët.
Nënkalimi në sheshin ‘Skënderbej’, tha Këlliçi, do të shfryjë 60 përqind të trafikut në qendër.
Kandidati i opozitës ka folur edhe për ndërhyrje të tjera që do të lehtësojnë qarkullimin, do të kursejnë kohën dhe karburantin e qytetarëve, siç janë nënkalimet te “21 Dhjetori”, apo tek Fakulteti i Ekonomisë. Nyje këto që bllokohen shumë dhe sjellin vonesa e stres.
Këlliçi tha se Transporti Publik Falas dhe projektet për zbutjen e trafikut, prioritete që i shërbejnë qytetarëve, janë vendimet e para që ai do të marrë e do të kalojë në Këshillin Bashkiak.
Këlliçi ka hedhur poshtë shpifjet që janë bërë këto ditë në drejtim të tij, lidhur me diplomimin.
Ai paraqiti shkresën e shkollës “Harry Fultz”, që tregon se Këlliçi ka ndjekur një praktikë si shumë studentë të tjerë, që janë larguar pas 4 viteve për të studiuar në SHBA.
Këlliçi vuri në dukje se atje, në SHBA, ka kaluar në të gjitha fazat e pranimit, ka marrë të gjitha kreditet që i duheshin, ka përfituar bursë nga shteti amerikan, dhe është diplomuar me rezultate maksimale.