Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi nga Korça se këto zgjedhje vendore janë të rëndësishme pasi vendosin për fatin e demokracisë.
“Katër ditë na ndajnë nga dita që ne me votën tonë do firmosim në një mision historik, ndryshimin e madh. Do firmosim fitoren e Ledina Aliollit, do firmosim fitoren e pluralizmit, do firmosim rikthimin e lirisë dhe dinjitetit.
Zgjedhjet vendore kësaj radhe janë zgjedhje për fatin e demokracisë shqiptare, ndaj dhe unë kam bindjen më të madhe se idealistët, të cilët u ngritën fuqishëm në këtë fushatë si asnjëherë më parë, do triumfojnë me 14 maj.
Edi Rama nuk lejon Filen e tij të ballafaqohet me Ledina Aliollin. Nuk lejon kandidatët e tij të ballafaqohen me kandidatët e primareve. Kjo sepse ata kanë tmerr nga vetja e tyre. Ata janë zhytur në krime të tmerrshme ekonomike, vjedhje pas vjedhje, përvetësim pas përvetësimi.
Ata nuk paraqesin projekte sepse kanë vetëm mashtrime. I përgëzoj qytetarët e Korçës që kanë refuzuar takimet me Filen. Ftoj të gjithë shqiptarët të refuzojnë takimet me kandidatët e territ dhe bodrumit.
Nuk del dot Filja sepse ka firmën dhe paratë në resortet e Moravës dhe resortet e tjera. Nuk del dot Filja sepse e jep pyllin publik për prerje me 5 mijë lekë metrin dhe e shet me sekserët e tij 70 mijë lekë metrin e druve.
Nuk del Filja se me Ramën dhe Peleshin e tij, kanë zhytur Shqipërinë në një borxh të tmerrshëm. Nuk del Filja se ka mashtruar për aeroportin e Korçës.
Ç’punë ka Filja me Korçën? Aq sa ka punë një hajdut ordiner.
Këtu në Korçë, fitorja merr një dimension edhe më të shndritshëm, edhe më të shkëlqyer. Sepse këtu kryebashkiake do jetë Ledia Aliolli, një bijë e shquar e Korçës, një intelektuale e shkëlqyer, një familjare shembullore.
Por një politikane e re, e cila ka një dashuri të madhe për Korçën, për qytetarët, rrugët dhe rrugicat e saj. Ajo paraqiti këtu një projekt, më të shkëlqyerin që Korça mund të ketë dëgjuar ndonjëherë.
Kam një thirrje të veçantë për nënat, motrat dhe gratë e Korçës. Të votojnë, të bëjnë gjithçka këto katër ditë për të siguruar çdo votë për Ledina Aliollin, sepse në këtë mënyrë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gruan shqiptare, për vajzën shqiptare, për nënën shqiptare, e cila pati këto 8 vite, vitet më dramatike të ekzistencës së saj në 30 vite”, tha Berisha.