Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Kurbin. Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje që qytetarë të dalin në masë e të votojnë, pasi vota e lirë i ka futur tmerrin Edi Ramës.
‘Votoni ndryshimin, sepse ndryshimi absolutisht do ti japë fund, qeverisë për qeveritarët e zyrtarët dhe do të vendosë qeverisjen për qytetarët. Ju bëj thirrje, me 14 maj çdo qytetar, çdo banor i këtij rrethi të bekuar, nga malësia gjer në kufi me Krujën dhe kudo, të marrë pjesë në votime, të dalë në votim, Edi Ramën e ka kapur frika dhe tmerri nga vota juaj’, tha gjatë fjalës së tij kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Berisha tha, se Ramën dhe zyrtarët e tij i ka kapur tmerri, pasi do tu dalin të gjitha ato që kanë bërë.
‘I dashur Behar, të gjitha ato kanë vetëm një shpjegim. Frikën, tmerrin që ai ka, sepse ka bërë kërdinë me këtë zonjën këtu dhe tani e di, se ti do të ua nxjerrësh të gjitha defterët, të gjithë ç’kanë bërë, do i çosh, por unë jam i sigurtë se ti do të zbatosh ligjet, do të zbatosh detyrën tënde’, theksoi gjatë fjalës së tij në takimin në Kurbin, kryetari i PD-së Sali Berisha.
FJALA E PLOTË:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, banorë të Kurbinit.
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme, ju, burrave dhe grave, të rinjve e të rejave, të bastionit të demokracisë, të bastionit të shqiptarisë, të Kurbinit, për mbështetjen që i keni dhënë PD-së në të gjitha betejat e saj.
Do ta nis me një përshëndetje për Behar Haxhiun sepse që në hapat e parë të garës së tij, i kalli datën, i futi lepurin në bark njeriut që kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të ngjashëm me të një halabaku, me një fjalor ordiner dhe mbeti duke e cituar Beharin, por tani dy fjalë do ja them këtu:
Edi, Behari është një njeri punëtor, të dy keni qeveritarë vendorë. Behari ka qeverisur shumë vite komunën e Milotit dhe ti nga partia jote bashkinë e Tiranës. Kur u largove nga Tirana, raporti i OSBE të akuzoi e zezë mbi të bardhë se ke vjedhur 200 mln euro dhe i ke fshehur në llogaritë offshore.
Të lashë gojën ti kur të përmendësh Beharin.
Së dyti, të them të vërtetën nuk ke asnjë gojë, asnjë të drejtë të flasësh për një tjetër, të perifrazosh një fjalë që tha, se do ta marrin fjalën të tjerë që janë më të shkolluar. Shkollimi me kate është dhe është i pafund, por të garantoj që prej 32 vitesh, Behari nuk ka shkruar gjëra në pëllëmbë të dorës që ti lexosh si puna jote që vjen në parlament dhe shkon poshtë e përpjetë.
Prandaj i dashur Behar, të gjitha ato kanë vetëm një shpjegim. Frikën, tmerrin që ai ka, sepse ka bërë kërdinë me këtë zonjën këtu dhe tani e di, se ti do të ua nxjerrësh të gjitha defterët, të gjithë ç’kanë bërë, do i çosh, por unë jam i sigurtë se ti do të zbatosh ligjet, do të zbatosh detyrën tënde.
Miqtë e mi!
Sot në mbyllim këtu fushatën e fitores. Kudo në Shqipëri, nga veriu në jug, fryn flladi i fitores dhe pranvera e demokracisë.
I kapur në darën e mashtrimeve të mëdha, dhimbjeve të mëdha që u ka krijuar shqiptarëve, Edi Rama ngushëllon shpirtin e tij, duke u bërë thirrje shqiptarëve mos dilni në votime. E kuptoni vetë pra, se çfarë tmerri ka ai nga vota juaj, është si personi që ju lutet, aman më falni. Nuk ka Edi Rama, vota e qytetarëve të Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë do të të ndëshkojë ty në mënyrën shembullore në datën 14 maj.
Shqiptarët në datën 14 maj do të votojnë ndryshimin, sepse këto dhjetë vite, ti i varfërove ata nga viti në vit, i varfërove ata sa asnjë vend tjetër në Europë në këtë periudhë. I varfërove ata në kundërshtim me ligjin natyral të tregut, i cili krijon pasuri dhe i përhap nga viti në vit.
Edi Rama ndërhyre në mënyrën më kriminale në xhepin e çdo qytetari. Ndërhyre tek çmimet e mallrave që ata blejnë çdo ditë në dyqane. Je i vetmi në Europë që krijove bordet komuniste dhe u the shqiptarëve se ato janë të dobishme. Janë të dobishme për qeverinë si ti, e cila nuk ka interesin e qytetarit, interes të parë, por ata janë varfëruese, mjeruese, për qytetarët shqiptarë, apo nuk kanë fare.
Në këtë kontekst Edi Rama me rritjen e çmimeve dhe ngrirjen e rrogave je treguar një drejtues i pamëshirë, dhe i pashpirtë. Nuk mundet kurrë në kushtet e tregut që një kryeministër të ngrijë rrogat. Po ngrive rrogat ti zvogëlon çdo vit, të ardhurat dhe ekonominë e asaj familje. Po ngrive pensionet ti detyron pensionistët të qajnë çdo muaj me lot mjerimi, pasi paratë e tyre nuk u dalin për shkak të çmimeve.
Dhe e bëre këtë vetëm e vetëm, se nuk ndjeje asgjë për qytetarin. Se e përçmoje qytetarin, se nuk ke ndjenja njerëzore ndaj tij. Se po të mos ishte kështu me buxhetin 5 miliardë në vit, ti gjatë këtyre 10 viteve rrogat i kishe rritur po të doje ti edhe 3 herë. Pensionet i kishe rritur po të doje 3 herë. Po nuk doje, sepse për qytetarët ti mbaje moton; në Shqipëri nuk vdes kush urie. Nuk është problemi të vdesin njerëzit urie, se urie nuk kanë vdekur ndonjëherë ndofta, por çështja është që shqiptarët të jetojnë si njerëz, kurbinasit të jetojnë si njerëz, të përfitojnë pasuritë e mëdha të rrethit të tyre, pasuri mahnitëse.
Por ti edhe bizneset i ndëshkove. Në një kohë kur prodhimi i energjisë në vend shtohej me 2 miliardë kilovat orë në vit, ti ua rrite bizneseve çmimin e energjisë 220 lekë. Ti dyfishove faturat edhe për ujin dhe shërbimet e tjera.
Pra ece në një mënyrë, ndërtove një administratë e cila bojkotojnë tërësisht qytetarin dhe nga mëngjesi gjer në darkë, vepronte, funksiononte se si të pasurohej qeveritari dhe zyrtari, se si të vidhej qytetari. A e shihni këtë ndërtesë këtu. Aty ka drejtuar një zonjë, ajo zonja ka shpërdoruar në mënryën më çnjerëzore taksat tuaja.
Ajo e dinte që ju pësuat një tronditje shumë të madhe, dramë të thellë shumë dhe ajo e dinte se ju kishit nevojë për një trajtim shumë të veçantë, absolutisht, nga dita e parë e tërmetit deri ditën e fundit, çdo pallat e ka ndërtuar me procedurë të kufizuar dhe me çmim 99.9 %. Çfarë do të thotë? Me pazar të bërë më parë, me ndarje parash me kompanitë.
Por a mundet kryetarja e Kurbinit, e një qyteti që pësoi një dramë të madhe, të arredojë zyrën me 160 mijë euro. Këta janë specie, janë një sekt që nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarin.
Të dashur miq!
Behar Haxhiu, të gjitha kandidatët tanë kudo që janë, Pashk Gjoni në Lezhë, Albert Melyshi në Rrëshen dhe kudo, gjatë këtij muaji janë takuar me ju, kanë paraqitur programe. Që të gjithë për problematikat tuaja. Që të gjithë me studime në mënyrë që jetën tuaj ta përmirësojnë dhe shënojnë ndryshimin.
A keni parë palën tjetër çfarë ka paraqitur. Ka paraqitur dansin e saj në buzuk, le të kërcejë ajo sa të dojë në buzuk, por qytetarët kanë probleme të tjera. Le të kërcejnë ata, nuk jam kundër, por problemi është se dansi i tyre nuk i zgjidh problemet e qytetarëve. Me dansin e tyre ata duan të fshehin problemet e mëdha të cilat kanë krijuar në komunitet. Duan të fshehin injorimin që i kanë bërë komunitetit. Don të fshehë, rrogat që paguhen drejtorëve të emëruar në bashki e që kërkohej në Spanjë. Do të fshehë, abuzimet, vjedhjet, shpërdorimet njëlloj si Edi Rama, njëlloj si ministret. Ndaj dhe u them qytetarëve të Kurbinit dhe Shqipërisë, me 14 maj, dallimi për të cilin votoni është jashtëzakonisht i madh.
Votoni për kandidatët e ‘Bashkë Fitojmë’, votoni 1-shin. Keni votuar për veten tuaj, keni votuar për shërbime dinjitoze që meritoni.
Keni votuar për njeriun që do të bëjë gjithçka për të lehtësuar hallet dhe dertet tuaja, do të bëjë gjithçka për të shfrytëzuar në interesin më të mirë tuajin, potencialet e jashtëzakonshme.
I them edhe biznesit të Kurbinit, voto për ndryshimin ju i hapni dyert përmbysjes së një regjimi që ju ka trajtuar ju në mënyrë armiqësore. Ju i hapni rrugë për rivendosjen e një pushteti i cili mendon për ju dhe klimën miqësore. Ju e keni provuar njëherë politikën tonë fiskale, ju garantoj se ajo edhe më lehtësuese do të jetë.
Ju them fermerëve të Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë, nëse ka sot njerëz të braktisur në kuptimin absolut të fjalës, jeni ju fermerët e Kurbinit dhe Shqipërisë. Në buxhet janë të caktuara 48 euro për hektarë, për femerin. Në të vërtetë vetëm 3 euro vijnë tek fermeri, 45 përfundojnë në xhepat e zyrtarëve, me ligj, me vendime.
Miqtë e mi!
Dua të kërkoj njerëzisht nga ju të mbani mend një gjë. Qeveritarët vjedhin, vjedhin, vjedhin, vetëm me vendime, vetëm me firmë. Nuk vjedh si hajdut xhepi, jo, jo. Ajo që firmos procedurat me 99.7 %, ajo ka vjedhur me 100%. Ata të cilët caktojnë 48 euro për hektarë dhe japin vetëm 3, ata kanë vjedhur 45 euro.
Ata që ndërtojnë rrugë me 24 mln euro kilometrin, në një kohë kur rruga kushton 2-3 milionë euro, ata kanë vjedhur 22 mln euro. Ata nuk kanë kufij. Dhe të gjitha këto ata i bëjnë me akte, i bëjnë me dokumente, sepse kanë futur drejtësinë në thes, e kanë shndërruar atë në një seksion të PS-së.
Ndaj dhe votoni ndryshimin, sepse ndryshimi absolutisht do ti japë fund, qeverisë për qeveritarët e zyrtarët dhe do të vendosë qeverisjen për qytetarët.
Duke përfunduar ju bëj thirrje, me 14 maj çdo qytetar, çdo banor i këtij rrethi të bekuar, nga malësia gjer në kufi me Krujën dhe kudo, të marrë pjesë në votime, të dalë në votim, Edi Ramën e ka kapur frika dhe tmerri nga vota juaj.
Zoti e bekoftë votën tuaj.
Zoti e bekoftë Kurbinin.
Fitore, fitore Behar Haxhisë, fitore qytetarëve të Kurbinit.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Faleminderit!