Ukraina akuzoi Rusinë se ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia. Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë për shkak të rrezikut nga përmbytje masive.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.
“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm sa konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo cep i tokës ukrainase”.
“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky.
Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se është duke e monitoruar situatën dhe shtoi se “nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë” në centralin bërthamor.
Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit i konfirmoi raportimet për evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara nga përmbytjet.
“Brenda pesë orëve, niveli i ujit do të arrijë një nivel kritik. Ka filluar evakuimi nga zonat e rrezikshme. Unë u bëj thirrje veçanërisht banorëve në bregun e majtë [të Dnjeprit]: bëni gjithçka që është e mundur për ta mbrojtur veten dhe për ta shpëtuar jetën tuaj. Largohuni menjëherë nga zonat e rrezikshme”, tha Prokudin në Telegram.
“Unë mund ta konfirmoj se shpërthimi [ka ndodhur]…. Të gjitha shërbimet janë duke punuar. Situata po monitorohet. Hidrocentrali u hodh në erë nga pushtuesit”, i tha Radios Evropa e Lirë Natalia Humenyuk, zëdhënëse ushtarake për forcat jugore të Ukrainës.
Shefi i Këshillit Evropian të BE-së, Charles Michel, u zotua se Rusia do të mbahej përgjegjëse për “krimin e luftës” të shkatërrimit të infrastrukturës civile.
Niveli i ujit në qytezën pranë digës së shkatërruar mund të rritet deri në 12 metra, tha kryetari i kësaj zone i emëruar nga Rusia, Vladimir Leontyev. Autoritetet thanë se niveli i ujit pritet të rritet përgjatë 72 orëve të ardhshme.
Diga, e ndërtuar në vitin 1956, është rreth 30 metra e lartë dhe rreth 3.3 kilometra e gjatë. Qëllimet e saj parësore janë prodhimi i energjisë, ujitja dhe navigacioni.
Gazeta RD