Të ftuar nga Shqipëria, rajoni dhe Evropa/ Më 15 Qershor, Tirana mirëpret Konferencën e parë Rajonale “Pensionet Privat në Fokus”

Shoqata e Shoqërive të Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve  (SH.SJ.P.FI) organizon më 15 Qershor Konferencën e Parë Rajonale “Pensionet Private në Fokus” me qëllim kryesor domosdoshmërinë e ndryshimit dhe përmirësimit të kushteve aktuale të tregut të pensioneve private, në ndryshimin dhe përmirësimin e projektligjit,  në angazhimin për të njohur rëndësinë e fondeve të pensionit privat në nivelin rajonal ekonomik dhe social.

Në konferencë do të diskutohet mbi problematikat që po has Shqipëria, ndryshimet e domosdoshme, përthithja e praktikave më të mira nga rajoni dhe Evropa ndërsa do të flitet edhe për bashkëpunimet me grupet e interesit për të arritur në implementimin e përmirësimeve të nevojshme.

Në një intervistë për Top News, Elvis Ponari, Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, e cila është edhe organizatore e eventit, shprehet se, kjo konferencë ka si mes objektivave kryesore angazhimin për të njohur rëndësinë e fondeve të pensionit privat në nivelin rajonal ekonomik dhe social

“Si kryetar i Shoqatës së Shoqërive të Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve jam i lumtur të njoftoj se, më datë 15 Qershor, në Tiranë, zhvillohet për herë të aprë Konferenca Rajonale “Pensionet Private në Fokus”, e cila ka si objektiv kryesor domosdoshmërinë e ndryshimit dhe përmirësimit të kushteve aktuale të tregut të pensioneve, ndryshimin dhe përmirësimin e projektligjit dhe angazhimin për të njohur rëndësinë e fondeve të pensionit privat në nivelin rajonal ekonomik dhe social”.

Sipas z.Ponari, Shqipëria po vuan sot krizën e pensioneve, edhe si shkak i emigrimit të lartë dhe lindshmërisë së ulët çka po bën që numri i kontribuesve dhe përfituesve të barazohet.

Ai shton se, këtij problemi vendet e rajonit dhe Europës i kanë dhënë zgjidhje prej kohësh.

“Sot, sistemi i pensioneve është një problem sa politik, aq edhe social dhe ekonomik. Mendoj që jo vetëm kriza që jemi duke u përballur, por vetë rënia e kontribuesve në sistemin e pensioneve mbart pasiguri të madhe për të ardhmen e afërt. Vendet e rajonit por edhe ato europiane kanë implementuar prej vitesh tashmë sisteme të tilla pensionesh, duke u mbështetur te skema private, duke u mundësuar qytetarëve më shumë se një pension në moshën e tretë”.

Z.Ponari, duke shtuar se, fondet e pensioneve private veprojnë në Shqipëri prej 17 vitesh dhe janë bizneset më të mëdha dhe të suksesshme në vend, shprehet se edukimi i popullatës mbi këto produkte shumë të rëndësishme është objektiv i Shoqatës që ai drejton.

“Shoqata që unë drejtoj ka në fokusin e saj primar edhe edukimin e popullatës me sigurinë që ofrojnë këto shërbime pasi një pjesë e mirë e qytetarëve janë mosbesues për shkak të mosnjohjes ligjore, por dhe mungesave te fushatave informuese”.

Por teksa Parlamenti pritet të votojë Ligjin e ri për “Pensionet Private”, Z. Elvis Ponari ka një apel:

Në vigjilje të kësaj konference, ku do të marrin pjesë të ftuar nga vendi, rajoni dhe Europa, nxisim Kuvendin të votojë sa më parë Ligjin e ri “Për Pensionet Private”. Kjo nismë e re, për të cilën kemi punuar për vite me rradhë, që përveç krijimit të një kolone tjetër në skemën aktuale të pensioneve, synon më shumë lehtësi në taksa si për të punësuarit, ashtu edhe për punëdhënësit”.

Në konferencë do të ketë përfaqësues nga Shqipëria, rajoni dhe Europa siç është Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, z.Eduard Shalsi, Z.Denis Deralla, anëtar i Bordit të AMF dhe Drejtor i Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Zv/ministri i Ekonomisë dhe Financave Z.Endrit Yzeiraj, Drejtori i Përgjithshëm i ISH Z.Astrit Hodo, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Dr.Christian Steiner, Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë Z. Emnauel Sallinas, CEO të Fondeve të Pensioneve në Shqipëri dhe jo vetëm.

Qëllimi i “Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit”, është rritja e ndërgjegjësimit për sigurimin e Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve dhe veprimtarive të lidhura me to; të kryejë kërkime dhe të ofrojë ndihmë profesionale e edukative për aktorët e interesuar.

Ajo punon për të siguruar kushtet optimale për investitorët privatë dhe investitorë institucionalë dhe për sigurimin e aksesit të lehtë në menaxhimin profesional të investimeve të tyre.

“Misioni ynë është të përfaqësojmë interesat e anëtarëve tanë, klientëve të anëtarëve tanë, të gjithë investitorëve dhe anëtarëve të fondeve të pensioneve dhe mbajtësve të policave të sigurimit të jetës”, shprehen nga kjo shoqatë.

About Redaksia

Check Also

CDU në Gjermani radikalizon qëndrimet ndaj Ramës: Do punojmë me PD dhe Berishën

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, thotë se politika botërore me ndryshimet e reja dhe …

Leave a Reply