Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar situatën politike në Shqipëri, teksa u ndal te zhvillimet në Partinë Demokratike. Lubonja i ftuar në ‘News24’, deklaroi se sa i përket ndarjes tjetër të krijuar në PD-në e vulës, krahu i Lulzim Bashës është në mazhorancë, ndërsa kanë po ashtu mbështetjen e kryeministrit sipas tij.
Ai u shpreh se Basha ka ambicien për të rimarrë kryesinë e Partisë Demokratike dhe se po ai është shkaktari i kësaj situate që ka krijuar sërish ndarje mes demokratëve. Lubonja shtoi se ky ka qenë një plan i hartuar në bashkëpunim me Alibeajn shumë kohë më parë, ndërsa tha se, Gazment Bardhi nuk ka qenë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ai e cilësoi PD-në e vulës në opozitë si një “kafshë të zbutur” nga qeveria dhe Edi Rama, e cila tanimë nuk mund të garojë kundër mazhorancës në zgjedhje.
“Në dhjetor 2021 ka pasur siç e dimë 2 mbledhje të këshillit kombëtar të PD-së. Ka qenë gjithmonë problemi se nuk u ballafaquan me shumicën për të ndarë kush është shumica. Një pjesë e tyre nuk kanë qenë me këtë linjë që ndoqën këta dhe u bënë dy pjesët e famshme.
U duk qartazi që shumica ishte ajo e Rithemelimit, të cilës ky grup i ka ikur. Ky është mëkati origjinal. Mëkat ishte dhe përjashtimi i Berishës nga Basha pa zhvilluar një mbledhje. Kur merren ende të tilla vendime, krahu i Bashës kërkon të vendosë kështu. Ky krah ka edhe mbështetjen e kryeministrit. Bardhi është në minorancë.
Gjëja e parë që të shkon në mendje është se ka një ambicie se kush do e marrë Kryesinë e PD-së, Basha apo dikush tjetër. Basha është shkaktari i kësaj situate dhe është një plan i hartuar më herët në bashkëpunim me Alibeajn në terma afatgjatë. Kam pasur përshtypjen se edhe Bardhi ishte pjesë e këtij plani, por tani më del se jo. Ka qenë dhe një histori e pakëndshme mes tyre, lidhur me dërgimin e një kandidati në Vaun e Dejës, kur ishte vendosur për mos dërgimin e tij. Kjo u mbajt sekret brenda partisë. Ky grup është i pabesueshëm.
Kjo palë si opozitë është vendosur në shërbim nga Edi Rama, është zbutur dhe nuk mund të garojë. I ka futur Rama për të ngrënë minjtë e shtëpisë. Kjo i jep padiskutim mandatin e radhës Ramës.
Në Fier nënkryetari i Këshillit Bashkiak i përket partisë Alibeaj Basha dhe jo asaj të Berishës dhe Metës. Kjo tregon se këta do kenë një dorë nga qeveria. Ashtu si Rama do të kontrollojë çdo pushtet, ashtu do edhe opozitën. Zgjidhja do ishte një Kuvend i madh, por jo vetëm me zgjedhje sepse do fitonte Berisha prapë, por me një marrëveshje ku mund të mbeten me fraksionet e tyre, por duke dalë dikush që mund ta zgjedhin. Me sa shoh asnjë palë nuk do që të bëjë diçka të tillë”, u shpreh ai.