Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehet se nuk e ka vendosur ende nëse do të pranojë ftesën e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme në BE, Josep Borrell për një takim në Bruksel për ç’tensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Në një prononcim për mediat, Kurti shprehet kjo ftesë i duket paska e çuditshme për arsye se vjen gjithmonë kur tensionet kanë arritur kulmin.
“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës.
Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëherë marr ftesë për takim në Bruksel. Kurse, kur kërkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”, tha Kurti.
Ditën e sotme përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme në BE, Borrell u kujdes të theksonte se takimi është për menaxhim të krizës, e jo për normalizim të raporteve.