Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një tjetër protestues serb që ushtroi dhunë mbi gazetarët që po raportonin mbi përplasjet në komunat në veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës. Xhelal Sveçla, tha se sulmuesi është krimineli Dalibor Spasiç.
“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasiç, – njoftoi Sveçla në Facebook. – Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste,” nënvizoi ministri i Kosovës.
Më herët, Sveçla kishte dhënë njoftim për një tjetër arrestim: “Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq çme datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit e gazetarëve. Vazhdojmë, të përkushtuar, për drejtësi e pa kompromis kundër milicisë fashiste.