Rama është përgjegjës për virusin që asgjësoi antitrupat e shtetit

Nga Klodian TOMORRI

Teksa hetimet e SPAK po nxjerrin gjithmonë e më shumë në dritë kënetën e madhe korruptive të inceneratorëve, kurioziteti i madh publik është se kush do të jetë dardhaxhiu i radhës.

Me Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon në burg, Tigrin e arratisur në ekzil dhe hijen e prangave që vërtiten mbi Bashkinë e Tiranës, por jo vetëm, maxhoranca politike që do të rilindte Shqipërinë tashmë është shndërruar në kontigjentin më të madh të drejtësisë penale në Shqipëri. Dhe ky kontigjent vetëm rritet.

Hapja e pusetës së Tiranës do të zgjerojë edhe më shumë listën e atyre që kanë ngrënë dardha pas kurrizit të udhëheqësit vizionar por naiv, që firmoste fap fap fap në mirëbesim çfarë i çonin përpara. Dhe sa më shumë rritet numri i bashkëpunëtorëve të tij që bien në rrjetën e SPAK, aq më shumë kryeministri është i detyruar të ndryshojë qëndrimet publike për këtë çështje.

Tashmë inceneratorët nuk janë më vepra të krenarisë, por një punë e bërë në mirëbesim, të cilën ata poshtë tij e kanë shfrytëzuar për të nxjerrë përfitime të paligjshme personale. Me pak fjalë, varianti i përgjegjësisë individuale është mburoja e fundit që i ka mbetur Edi Ramës për të mbajtur larg pisllëkun e madh të inceneratorëve nga zyra e Kryeministrit.

Por mbatja larg e përgjegjësisë penale nuk e shpëton dot kryeministrin nga një përgjegjësi tjetër, që për një udhëheqës është ndoshta edhe më e rëndë.  Politikisht dhe moralisht Edi Rama është përgjegjësi kryesor i aferës së inceneratorëve. Jo vetëm sepse u shiti shqiptarëve bandën më të madhe të hajdutëve në historinë e Shqipërisë si ekipin që do të rilindte Kombin. As sepse u tregua i paaftë për të kuptuar se të gjithë këta po vidhnin pas krahëve të tij. Por për diçka shumë të rëndë se kaq. Shkatërrimin e antikorpeve të shtetit.

Tunfimi i zyrtarëve për të vjedhur nuk është një sëmundje vetëm shqiptare. Me këto gjëra bëhen edhe filma nëpër botë- do të thoshte me të drejtë Elisa. Por një shtet ka antitrupa dhe mekanizma, të cilët reagojnë për të parandaluar dhe zbuluar korrupsionin.

Vetë kryeministri ka nën varësinë e tij direkte një drejtori të madhe antikorrupsion. Institucionet qëndrore kanë departamente të tëra auditimi, që paguhen pikërisht për të mos lejuar vjedhjen e parasë publike apo për të zbuluar abuzimet e atyre që hanë dardha fshehurazi. Në rastin e aferës së inceneratorëve puna ishte edhe më e lehtë që këta mekanizma të vepronin për shkak se faktet po dilnin në dritë nga të gjitha anët.

Por asnjëri prej tyre nuk e bëri. Sepse qeveria që kryeson kryeministri ka asgjësuar të gjithë antitrupat e shtetit. Njësoj si një virus malinj. Ky është dëmi më i madh që na shpërfaqi afera e inceneratorëve. Dhe kjo nuk është përgjegjësi e atyre që hëngrën dardhat. Kjo ka vetëm një përgjegjës kryesor. Arkitektin e virusit malware Rilindje.

About Redaksia

Check Also

Çështja nuk është “sa janë”, por “kush janë këshillëtarët”…?

Nga Gent STRAZIMIRI Çështja nuk është ‘sa janë’, por ‘kush janë këshillëtarët’…? Janë ata që …

Leave a Reply