Nga Klodian TOMORRI
Gati një muaj më parë, në zyrën e komandantit të Forcës Ajrore mbërritën tre agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pasi u prezantuan shkurtimisht, hetuesit e BKH i paraqitën gjeneral Ylli Pulajt një urdhër gjykatë. Ishte urdhri për sekuestrimin e celularit të tij.
Oligarkia.al ka mësuar se veç zotit Pulaj, SPAK ka sekuestruar telefonat edhe drejtuesve të tjerë të niveleve më të ulëta të forcës ajrore. Por nuk mbaron këtu. Janë të paktën edhe dy gjeneralë të tjerë përtej Forcës Ajrore, si dhe disa drejtorë civilë në ministrinë e Mbrojtjes, të cilëve u janë sekuestruar telefonat.
Arsyet e bastisjes në masë lidhen me një sërë tenderash të ushtrisë, ku dyshohet për korrupsion galopant, por edhe me masakrën e tjetërsimit të pronave të saj, kryesisht gjatë kohës që ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Olta Xhaçka.
Tendera sekret me vlerë dhjetra milionë euro për blerje armësh dhe municionesh, të përfunduara të gjitha në një grusht kompanish. Ndërtime brenda bazave detare dhe nxjerrje nga plani i përhapjes i sipërfaqeve të tëra të pronave të ushtrisë duke i tjetërsuar ato deri në cënimin e kapacitetit operacional të forcave të armatosura. Për të dhënë një ide të situatës mjafton vetëm një fakt. Vet zonja Xhaçka është thirrur në SPAK më shumë se Durim Bami.
Me pak fjalë, tani Shqipëria ka një problem të ri madhor. Korrupsioni ka hyrë në ushtri, në të gjitha nivelet e saj. Dhe sot thuajse i gjithë zinxhiri komandues i ushtrisë shqiptare është nën hetim dhe pa telefona.
Në fakt, një nga problemet kryesore të ushtrive në botë është komunikimi i sigurtë. Teknologjitë e komunikimit kanë gjithmonë rrezikun e përgjimit nga armiku. Por Shqipëria e ka zgjidhur tashmë këtë problem. Gjeneralët e Nikos kanë filluar të ushtrohen për të ngritur një sistem komunikimi me pëllumba, njësoj si në Mesjetë. Sepse telefonat i kanë në SPAK.
E nëse ky mund të duket humor banal, ka edhe më keq. Fjala vjen modeli i vetëfinancimit të ushtrisë përmes të ardhurave dytësore. Në kohën e regjimit komunist, në repartet e ushtrisë mbilleshin domate, tranguj dhe plot kultura të tjera perimesh apo zarzavatesh për të ushqyer ushtarët. Tani ekonomia ushtarake ka kaluar në zinxhirin e lartë të vlerës së shtuar. Repartet e ushtrisë mbjellin hashash.
Gjithçka në kuadër të modernizimit të ushtrisë dhe arritjes së objektivit strategjik të shpenzimeve për mbrojtjen sa 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dhe teksa shumë qeveri në botë vuajnë kufizimet buxhetore për të arritur targetin e vendosur nga NATO, ushtria shqiptare ka gjetur zgjidhje revolucionare. Vetëfinancimin nga të ardhurat dytësore, përtej buxhetit të shtetit. Edhe kjo mund të jetë një tjetër përvojë suksesi që Niko Peleshi ta ndajë më homologët e tij në samitet e NATO-s.
Përtej shakave me ushtarë, që burojnë të gjitha nga shakaja e madhe që Shqipëria e quan qeveri, këtu ka një problem shumë serioz. Ushtria shqiptare po kalbet nga korrupsioni, i cili mund të dekapitojë të gjithë zinxhirin e saj komandues./OLIGARKIA