Koncesioni i sterilizimit 100 milionë euro, ish-ministri Beqja do të rimerret në pyetje nga SPAK

Zhvillime të reja në dosjen e koncesionit të sterilizimit që po hetohet nga SPAK, teksa ndodhen pas hekurave një ish-zv.ministër shëndetësie dhe një biznesmen.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se SPAK do të rimarrë në pyetje ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja në lidhje me udhëtimet me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umbro Staçini.

Ende nuk është vendosur se kur do të thirret për t’u ripyetur ish-ministri, pasi GJKKO orientoi SPAK të hetonte rreth rolit të tij.

Dje ish-ministri deklaroi se të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë – Tiranë është gjëja më normale dhe vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk besoj se është indicie për fajësi.

Udhëtime dhe njohje të mëparshme deri në dhënien e një koncesioni me vlerë 100 milionë euro janë në brendësi të dosjes së Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” thuhet se Ilir Beqja, atë kohë ministër i Shëndetësisë dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, si dhe administratori i shoqërisë koncesionare Sani Service kanë kryer udhëtime së bashku. Ashtu siç zbulohen edhe udhëtimet e ish-zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj me biznesmenin Rrapaj.

Gjatë hetimeve paraprake, më datë 15 nëntor 2021 është bërë këqyrje e sistemit TIMS për të dhënat e shtetasve Ilir Rrapaj, administrator i Investal, Klodian Rjepaj, kryetar i Komisionit të procedurës së komisionit të dhënies së Koncesionit, Umbro Staccini, shtetas italian, administrator i Tecnosanimed dhe një nga aktorët kryesorë të Koncesionarit Sani Service, Ilir Beqja, titullari i Autoritetit kontraktor dhe Admir Daca, administrator i Sani Service. Nga procesverbali, u vërejtën edhe hyrjet dhe daljet e këtyre personave nga territori i Republikës së Shqipërisë ku rezultoi se:

Shtetasit Ilir Rrapaj, Ilir Beqja dhe Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas, nga Italia, më datë 15 qershor 2014 përkatësisht në orën 21:12, 21:14 dhe 21:10.

Nga këqyrja e të dhënave nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rezulton se më datë 15 qershor 2014 është bërë postim mbi takimet e kryera nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj më datë 13 qershor 2014. Kjo periudhë përkon me veprimet përgatitore të Koncesionit.

– Shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepja kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Romë, në datë 26 mars 2015, përkatësisht në orën 16:34 dhe 16:25 (kjo periudhë përkon me shpalljen e njoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave). Për këtë udhëtim Klodian Rjepaj, ka marrë “autorizim për shërbimin jashtë vendit”, datë 18 mars 2015 për të marrë pjesë në një vizitë pune në rajonin e Umbrias, Itali, për takime zyrtare me autoritetet e larta shëndetësore të rajonit në zbatim të marrëveshjes midis rajonit të Umbrias dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ilir Rrapaj është një nga aktorët kryesorë si pjesë e Confimi Umbria, në bashkëpunimin e Rajonit Umbria me Ministrinë e Shëndetësisë.

– Shtetasit Ilir Rrapaj, Umbro Staccini dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, Peruxhia më datë 13 prill 2016, përkatësisht në orën 13:14, 13:07 dhe 13:10.

– Shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore në datë24 nëntor 2016 përkatësisht në orën 11:33 dhe 11:34.

– Shtetasi Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare Sani Service që prej datës 1 dhjetor 2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqja me detyrë Ministër i Shëndetësisë në këtë kohë, kanë dalje nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar Rinas, me linjë ajrore Vjena më datë 25 shtator 2016, përkatësisht në orën 14:15 dhe 14:06.

About Redaksia

Check Also

Shifra e frikshme/Paguan 140 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, paratë i vodhën

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për hetimet …

Leave a Reply