Matrioshkat e skandaleve 

Nga Klodian XHYHERI
Sekretar Politik i PD Dega Vlorë 

Pothuaj gjithë verën kemi qenë në korrent me skandale të panumërta nga pushteti.
Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qenë skandale të padëgjuara më parë, po thjesht ato u konfirmuan nga organet hetimore si shkelje të rënda me pasoja në buxhetin e shtetit.

Po të luajmë disi me imagjinatën, çështja e skandaleve ka qenë si matrioshkat (kukullat e famshme ruse), po në të kundërt. Jo nga më e madhja te më e vogla, po nga më e vogla te më e madhja.

Skandalet e njëpasnjëshme janë bërë një daulle e pashqetësueshme për veshin shurdhak të këtij populli mbetur këtu, nga operacioni diabolik “Shpopullim e pushtet”.

Skandali i sterilizimit psh, ka vite që është denoncuar nga opozita si aferë e madhe korruptive, po si normalisht e mbrojtur me zjarr e patos nga pushteti, si një vepër nga më të rëndësishmet e bëra prej tij.

Po kështu, skandali i inceneratorëve me etapat e tij numerike: 1.Skandali inceneratorit të Fierit, 2.Skandali inceneratorit të Elbasanit, 3. Skandali inceneratorit të Tiranës, 4. Skandali i landfillit të Qishbardhës (Vlorë), nga e njëjta dorë gllabëruese. Skandale këto të denoncuara dhe debatuara në çdo cep ekrani e Kuvendi, që përsëri janë mbrojtur plot angazhim potencial nga qeveria dhe Kryeministri.

Të vjen për të qeshur, sesi pushteti jo vetëm del pa lagur nga vargonjtë e skandaleve, por aplikon programin Win-Win (Fitore-Fitore), në çdo rast.
Sapo del skandali ai mbrohet fort, madje që mos të ketë pikë aludimi, ai shpallet si krenari e punëve të kryera. Pasi skandali plas me metastazat e veta në organet e drejtësisë, pasi këto të fundit e kanë të pamundur ta mbyllin tumorin, del ana tjetër e medaljes, “Për këtë ditë punuam, që të kemi një drejtësi ‘të pavarur’ dhe të çojë këdo para ligjit”.

Në rastin më të parë mbulohet dhe mbrohet skandali dhe nëse ai plas keqas dhe nuk ka derman më ta mbulojë, dalim me tezën e drejtesisë që me aq mund e djersë e kapëm (më falni, e bëmë).

Pra, në çdo rast qeveria del Win-Win (Fitore-Fitore).

Mirëpo, skandale të tjera na zbulojnë matrioshkat tona skandalore. Vjedhja e të dhënave të TIMS psh. Ky skandal është përhapur rrufeshëm dhe ka gjetur paksa të çoroditur dhe papërgatitur edhe drejtësinë edhe pushtetin. Edhe kjo metodologji jo e re, por e tentuar edhe më parë me vjedhjen e të dhënave të tatimeve. Mirëpo atëherë ishte e freskët qeverisja dhe kaloi pa bujë. U mor si një limonatë verore e jo si skandal që prek të dhënat personale të qytetarëve.

Skandali i dhunimit të egër të qytetarëve nga Rrajat në Krujë, ishte nga ato skandale, që përveç se tregoi kalbësirën dhe pafuqinë e Policisë së Shtetit, por ai “hëngri” edhe kokën e ministrit. Lëvizje kjo sa të ftohet pak pilafi, se jo se do e lemë pa vend pune dhe ish ministrin e Ministrisë së Brendshme. Nga vjeshta do ta sistemojmë edhe atë gjetiu.

Matrioshkat na drejtojnë nga ai që quhet skandali me drejtuesit vendorë. Kjo matrioshkë skandalesh, përmbledh në vetvete një tufë skandalesh të tjera, duke filluar nga kryebashkiaku i Lushnjes e duke vazhduar me atë të Kukësit, Fushëarrëzit, Bulqizës, Roskovecit, Kuçovës, Vaut të Dejës, Kajmaku i Vorës, Valdrini i Shkodrës, Kavajës etj. Janë vërtet shumë dhe me siguri që kemi harruar të tjerë.

Sapo hap një matrioshkë, një tjetër më e madhe të del në pah. I erdhi radha të ashtëquajturit “Skandali Sky”. Pleksje e molepsje për lavdi parash: e polikës-krimit-drejtësisë-policisë e administratës së lartë. Ky skandal na erdhi i hetuar gatshëm nga partnerët tanë europianë, se tanët jo vetëm që i kanë me përtesë kësisoj hetimesh, por edhe janë si mina me sahat, që mund të të plasin në dorë e s’dihet çfarë avazi hapin.

Mos u ndalni miq, matrioshkat e skandaleve nuk kanë mbaruar për këtë verë. Dhe duhet ta theksojmë, vetëm këtë verë. Sepse ato janë shumë, shumë fare, nëse do të përfshijmë edhe stinët e tjera nuk na del një shkrim e një artikull. Ato duan netë dimërore të gjata të shkruhen dhe jo vetëm një natë, po shumë të tilla.

Matrioshka e çelur na çon në një tjetër skandal, atë të bujqësisë. Komisioni Europian njoftoi qeverinë shqiptare se ka ndërprerë fondet në kuadër të programit IPARD2, për arsyen e thjeshtë… KORRUPSIONIN në këtë sektor.

Me shëndet edhe bujqësia!
-Më të fortë do dalim edhe nga ky skandal, që na marrshin të keqen ata burokratët europianë e syri i keq mos na kaptë! Kapim me dorë diç-send, si traditë të prishjes së syrit të keq.

Edhe këmbimi valutor nuk ngeli pa u prekur nga matrioshkat e skandaleve. Seç futën turinjtë te këmbimi i euros dhe çuan euron poshtë si rrallë herë. Nëse do të ishte natyrale kjo rënie e euros do t’ua bënim hallall profesionalizmin, por gjasat duken se rënia është artificiale për qëllime të errëta dhe goditjen në fund e hëngri qytetari i varfër.

Këtë verë patëm edhe një operacion të SPAK së bashku me Guarda di Finanzian italiane, i cili ka sjellë goditjen e një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike.
Në dukej arritje, por në thellësi një sabotim, pasi çuditërisht në Shqipëri nuk shkohet kurrë te bërthama e trafikut, rrugës si për çudi “të fatit të keq”, aksioni dekonspirohet.

Nuk kanë mbaruar ende jo. Prisni pak.
Po matrioshkën me pronat e ushtrisë ku e latë? Tjetërsimi i pronave në ushtri, në kohën e ministres Xhaçka; SPAK paska sekuestruar telefonat e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Në sfond duket se po shpërthen skandali me pronat e ushtrisë, jo i padëgjuar për publikun. Thjesht po vërtetohen ç’ka janë thënë e stërthënë nga denoncues, kujtojmë
z.A.Meçollari, i cili duhet përgëzuar për këtë guxim, pasi denoncimet në kohë diktaturash janë të rrezikshme, si dhe denoncimet hapur nga opozita, që rutinisht bien në vesh të shurdhët.

Me pak durim vjen matrioshka tjetër. Hetimi për Check Up-in, SPAK paska thirrur qytetarët për t’i marrë në pyetje, pasi ka dyshime të forta për abuzime financiare me këtë koncesion. Kjo qenka një kruajtëse dhëmbësh, siç thotë populli. Ooohhuuuu ku ua kemi ngenë këtyre të voglave ne!

Duroni edhe pak, matrioshka e RTSH del në skenë për performancën e saj.
Grabitje multi miliardëshe në RTSH dhe një dosje hetimore në SPAK, pritet që të nxjerrë abuzime të rënda në shifra të mëdha, që do të trondisin gjigantin e transmetimit publik, RTSH.
E po, si mund të ngelej pas RTSH, pa e ngjyer një çikë!

Dhe qershia mbi tortë e matrioshkave ishte jo vetëm konfirmimi i akuzave për vite me radhë për ish zv.Kryeministrit A.Ahmetaj dhe përlyerjen e ish Sekretarit të Përgjithshëm D.Gjiknuri në aferën e inceneratorëve, por edhe arratisjen spektakolare të ish zv.Kryeministrit Ahmetaj.

Ndërsa vera e nxehtë po ikën, portalet thonë që na pret një vjeshtë edhe më e nxehtë nga SPAK.

Po e mbyllim me fjalinë epike të ish zv.Kryeministrit, e cila ishte një matrioshkë në vetete: “Nuk kam qenë aq i fuqishëm që të vë në lëvizje gjithë qeverinë, bashkinë. Unë nuk kam superfuqi o burrë, nuk jam guru, që t’i bëja të gjithë bashkë në qeveri e të hidhnin firmat për inceneratorët”.

About Redaksia

Check Also

Skandali 3 mln euro me shkollën në Manzë/ Garo: Do të hetohen dhe ndëshkohen abuzuesit me fondet e rindërtimit

Deklarata e zëdhënëses së PD, Floriana Garo: Ajo që po ndodh me fondet e rindërtimit …

Leave a Reply