Deputeti i PD, Tritan Shehu akuzoi kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se ka bllokuar rezolutën e depozituar nga PD për dënimin e gjenocidit serb dhe se kjo gjë është bërë zanafilla e problemeve dhe keqinterpretimeve duke lënë vend për konfuzion dhe te partnerët e Shqipërisë.
Shehu deklaroi se, keni treguar që jeni kthyer në mburojë të krimeve serbe, një faktor negativ në dënimin e së vërtetës dhe krijimin e situatave absurde në Shqipëri.
“Do të përmend përsëri një shkelje shumë të rëndë të rregullores, të procedurës së parlamentit që ka dhënë implikacione të rënda politike, ka krijuar probleme dhe është bërë zanafilla e këtyre problemeve. Znj.kryetare ju prej një viti e ca keni bllokuar rezolutën për krimet e Serbisë në Kosovë. Keni treguar që jeni kthyer në mburojë të krimeve serbe. Një faktor negativ në dënimin e së vërtetës dhe krijimin e situatave absurde në Shqipëri.
Ai qëndrim, zanafilla e gjithçkaje, është pasur me deklarata krejtësisht në kundërshtim me interesat kombëtare, të Kosovës, të rajonit, të kryeministrit që kërkoi konferencë të jashtëzakonshme, kalimi i veriut të Kosovës nën kontrollin e Kosovës dhe deklarata e fundit për atë që u quajt ‘toka e askujt.
Këto krijojnë kushte dhe mundësi për të degjeneruar në këtë proces negativ dhe me kaq pasoja. Heshtja juaj, frika për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, krijon konfuzion te partnerët tanë”, tha Shehu.