Rikthehet në detyrë kryepolici që mblodhi vota për PS me krimin e organizuar

Zyrtari i lartë i Policisë së Shkodrës, Hajri Kushe, i cili mblodhi vota bashkë me krimin e organizuar është rikthyer në detyrë. Në qershor të këtij viti, Kushe u pezullua nga detyra së bashku me 12 vartës të tij, nën dyshimet se kishin bashkëpunuar dhe toleruar kultivuesit e kanabisit në zonën e Anës së Malit.

Vetëm 5 muaj më pas, Gjykata e Apelit në Tiranë i hoqi masën e pezullimit nga detyra Kushes dhe disa prej efektivëve të tjerë, pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë.

Organi i Akuzës kishte kërkuar që Hajri Kushe dhe të tjerët të vijonin të qëndronin të pezulluar, pas hetimi ishte kompleks dhe ata mund të prishnin provat ose të frikësojnë dëshmitarët.

Por, trupa gjykuese e Apelit vlerësoi se Kushe, me gjithë detyrën e rëndësishme në Policinë e Shkodrës, nuk mund të cenojë hetimet e Prokurorisë. Për këtë arsye, i hoqi Kushes masën e pezullimit, duke i hapur rrugën rikthimit të tij në funksion.

Hajri Kushe është akuzuar publikisht nga opozita se ka bashkëpunuar me elementë të krimit të organizuar për të siguruar vota për Partinë Socialiste në Shkodër.

Rreth një vit më parë, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi denoncimin e një qytetari të mirëinformuar, që e akuzonte Hajri Kushen për bashkëpunim me Pëllumb Gjokën, investitorin strategjik të Edi Ramës, i arrestuar së fundmi në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Ndërkohë, kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë në Shkodër, Bardh Spahija, duke komentuar pezullimin e Hajri Kushes nga detyra, deklaroi në qershor të këtij viti se ai njihet si lidhja kryesore e qeverisë dhe e Partisë Socialiste me bandat kriminale të Shkodrës për blerjen e votës.

Madje, Spahija bëri edhe një parashikim: “Shumë shpejt do të shohim se ligji do të jetë i pafuqishëm kundër tij”.

Duket si një bast i fituar i Bardh Spahijas, pasi Hajri Kushe qëndroi vetëm 5 muaj i pezulluar nga detyra.

About Redaksia

Check Also

Banorja në Theth: Rama na tha kthejini djemtë nga emigracioni dhe ndërtoni! M’u thafshin duart për atë votë që dhashë!

Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar në Facebook një video ku një banore nga …