Prokuroria ka pushuar çështjen për vdekjen e Lear Kurtit në Komisariatin e Policisë, duke dalë në përfundimin se efektivët e policisë të cilët bënë shoqërimin e tij në komisariat, nuk kanë kryer shkelje.
Tashmë do të jetë Gjykata ajo që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e Prokurorisë, bërë nga prokurori Albert Demirneli.
32 vjeçari Lear Kurti është ndërroi jetë në mënyrë të mistershme në spitalin e Traumës në vitin 2022. Ai u shoqërua nga policia në komisaritin numër 3, e më pas u transportua te Trauma pasi shfaqi probleme shëndetësore.
Burimet bënë të ditur atëherë se ai ishte dërguar në spital i pajetë. Babai i Lear Kurtit deklaroi atëherë se, djali i tij vdiq në duart e policisë.
Në aktekspertizën për Kurtin, rezultoi se ai kishte vdekur nga mbidoza, pasi gëlltiti qesen me kokainë, ekspertizë të cilën familjarët e kanë kundërshtuar.
Pjesë nga akti i ekspertimit
“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:
Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.
Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”.