Leje me letra false, “8 vilat e Petrelës” zbulojnë skandalin e Veliajt

Nga Boldnews.al

Arrestimi i dy arkitektëve, të dyshuar se kanë falsifikuar me aplikimet për rindërtimin e disa banesave, mund të jetë vetëm kapaku i një pusete që shkon thellë në zyrat labirinth të Bashkisë së Tiranës që trajtojnë lejet e ndërtimit për procesin e Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Është një nga ato histori që vjen shumë erë të rëndë dhe mund të shkojë shumë lart në administratën lokale të kryeqytetit. Në atë administratë, mbi të cilën rëndojnë shumë dyshime dhe abuzime nga më të ndryshmet, por që vijon të mbetet e paprekur nga institucionet ligjzbatuese.

A është ky rasti që Bashkia e Tiranës të bëhet pak “e prekshme” nga hetimet e prokurorisë? Mbetet për t’u parë në vijim, megjithëse opinioni publik tashmë ka krijuar bindjen se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë korrace “paprekshmërie”.

Arrestimi i dy arkitektëve, maja e ajzbergut

Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte arrestuar arkitektët Armand Prelezi dhe Klevis Bregu. Ata dyshohet se kanë përdorur dokumenta të rreme për të pajisur me leje ndërtimi, në kuadër të procesit të Rindërtimit, tetë vila në zonën e preferuar të Petrelës, shumë pranë qendrës tregtare “TEG”.

Sipas hetimeve, dy arkitektët 30-vjeçarë kanë aplikuar për disa subjekte, duke përdorur dokumenta si të dyshuar të falsifikuar të Institutit të Ndërtimit, si edhe kanë ndryshuar volumin dhe vendndodhjen e ndërtimeve të reja.

Në foto: Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Kjo duket se është vetëm maja e ajzbergut të abuzimit. Pjesa tjetër e skandalit qëndron në zyrat e Bashkisë së Tiranës, duke nisur nga mungesa e verifikimit të dokumentave e deri tek kontrolli inekzistent në terren.

Skema e përdorur nga dy arkitektët është interesante. Ata kanë projektuar vila për klientët e tyre, të ngjashme në volum dhe formë me vilat e një kompleksi rezidencial, të quajtur “Secret Residence”. Godinat e projektuara nga dy arkitektët e arrestuar gjenden saktësisht ngjitur me murin rrethues të kompleksit dhe duken si vijim i tyre.

Ndoshta është menduar si një formë për të fshehur vilat e paligjshme. Por, kujt po ia fshihnin?

“Boldnews.al” ka siguruar pjesë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës, në të cilën dallohet lehtësisht se strukturat e Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj kanë pasur një mbivendosje kompetencash, ose të paktën kështu është justifikimi zyrtar, dhe për këtë shkak nuk është verifikuar situara në terren e këtyre 8 vilave të reja.

Askush nga autoritetet shtetërore nuk i ka parë ato vila duke u ndërtuar ose nuk i ka kontrolluar për ligjshmërinë.

Vetëm në fillim të janarit 2023, kur godinat e reja kishin marrë formën thuajse përfundimtare, në adresën e Komisariatit nr.1, i cili mbulon zonën, mbërritën një seri denoncimesh dhe informacionesh, për ndërtime pa leje ngjitur me “Secret Residence”.

Në foto: Kompleksi “Secret Garden Residence”. Ngjitur me këtë kompleks janë ndërtuar vilat e paligjshme

Punonjësit e Policisë informuan Inspektoratin Ndërtimor Vendor Tiranë, i cili deri më atë kohë nuk kishte asnjë informacion. Në datë 12 janar 2023, inspektorët ndërtimorë evidentuan vilat pa leje, vendosën pezullimin e punimeve, gjobitën “pronarët” e tyre, si edhe referuan materialet në Prokurori për “ndërtim të paligjshëm”.

Falsifikim i akt-ekspertizave të tërmetit

Në 17 Qershor 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka miratuar lejen e ndërtimit me objekt “Rindërtimi i ndërtesës së dëmtuar, si pasojë e fatkeqësive natyrore, pa shtim apo ndryshim vëllimi”, në favor të shtetasit Manush Teqia.

Aplikimi për këtë leje në emër të Teqias është bërë nga arkitekti Armand Prelezi. Në dosjen e aplikimit të ngarkuara në sistemin elektronik përkatës gjenden, ndër të tjera, akti i ekspertizës së thelluar të kryer nga Instituti i Ndërtimit, hartuar në dhjetor 2019, cili përbën dokument vendimtar për Rindërtimin.

Në bazë të këtij akti, godina e Manush Teqias në Petrelë është dëmtuar në nivelin DS5 dhe duhet rindërtuar.

Në foto: Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama, gjatë një inspektimi për Rindërtimin në Petrelë

Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimit të saj, ka marrë një shkresë nga Instituti i Ndërtimit në qershor 2023, në të cilën thuhet se nuk rezulton të ketë kryer asnjë inspektim në prona apo në emër të Manush Teqia.

Ky detaj krijoi dyshimin e prokurorëve se dokumenti i Institutit të Ndërtimit është i falsifikuar.

Në të njëjtën mënyrë, Instituti i Ndërtimit informoi Prokurorinë e Tiranës se nuk ka kryer asnjë lloj ekspertize për llogari të Arblin Harizi, Abaz Tegja dhe Florian Zela, të cilët gjithashtu rezultojnë të kenë aplikuar dhe të jenë pajisur me leje ndërtimi në kuadër të Rindërtimit në të njëjtën zonë.

Ndryshimi i koordinatave

Në kuadër të të njëjtin hetim, Prokuroria e Tiranës krijoi dyshime se aplikimet e kryera nga Armand Prelezi dhe Klevis Bregu për rindërtimin e godinave të shtetasve të mësipërm, si edhe të Dorina Dushku, Gani Moka, Tefta Vishi dhe Mehmet Durishti, janë kryer duke abuzuar me koordinatat e sheshit të ndërtimit dhe volumin e vilave në kate dhe sipërfaqe.

Nga verifikimet e kryera nga ana e Prokurorisë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit “Google Maps”, rezulton se të dhënat e pasqyruara ne relacione nga arkitekti Armand Prelezi apo Klevis Bregu, tregojnë vendodhje të ndryshme, karahasuar me vend-ndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), apo edhe pa vend-ndodhje, duke mos reklamuar koordinata.

Bashkia “nuk ka sy”

Prokuroria e Tiranës ka pyetur disa inspektorë ndërtimorë vendorë, për të kuptuar më mirë se si ka ndodhur që askush nuk i ka parë ndërtimin e tetë vilave pa leje në një prej zonave më të rrahura nga “bosët” e kryeqytetit, por edhe të Shqipërisë.

Në foto: Arkitekti Armando Prelezi

Inspektorët e pyetur i janë referuar kryesisht një organizimi të brendshëm të Bashkisë së Tiranës, i cili në rastin më të mirë rezulton defektoz.

Ata deklarojnë se nuk është ushtruar kontrolle në këto objekt përpara muajit Janar 2023, pasi kontrolli i lejeve të Rindërtimit nuk ka qenë kompetencë e Drejtorisë së Terrenit.

Sipas tyre, Lejet e Rindërtimit kanë detyrim ligjor që godinat duhet të ndërtohen në gjurmën e objektit të vjetër dhe duhet të njoftojnë Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit Bashkia Tiranë, për fillimin e punimeve, pasi objekti duhet të ndërtohet me përmasa të njëjta dhe në vendin e njëjtë.

Deri në muajin janar 2023, Lejet e Rindërtimit kontrolloheshin nga Drejtoria e Kontrollit të Lejeve dhe nuk ishte kompetencë e Drejtorisë së Terrenit”, kanë deklaruar në mënyrë të njëjtë para prokurorëve, inspektorët E. Belalla, R. Myrta dhe L. Alushi.

Pra, duket se për shkak të këtij organizimi, strukturat e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë shumë vigjilente për ndërtimet pa leje të mureve të oborreve apo hapjes së dritareve, nuk kanë parë ndërtimin e paligjshëm të tetë vilave në zonë luksoze.

Duket disi e vështirë për t’u besuar që kjo mungesë efikasiteti ka ardhur për shkak të mungesës së koordinimit brenda-institucional. Megjithatë, duhet pritur vijimi i hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për të shuar çdo dyshim.

Bashkia nuk kontrollon dokumentat

Ndërtimi i paligjshëm i tetë vilave ka nxjerrë në pah edhe një tjetër problematikë, mbi mënyrën se si e ka menaxhuar Bashkia e Tiranës procesin e Rindërtimit.

Siç konstatoi Prokuroria e Tiranës, në të paktën 4 leje të lëshuara nga Bashkia e Tiranës për zonën nën hetim, dyshohet se janë përdorur ekspertiza të falsifikuara të Institutit të Ndërtimit.

Në foto: Arkitekti Klevis Bregu

Një nga përgjegjëset e procesit të Rindërtimit në Bashkinë e Tiranës, A. Metoja, e pyetur nga prokurorët lidhur me përdorimin e dokumentave të falsifikuar gjatë fazës së aplikimit në sistemi, ka deklaruar: “Shqyrtimi i kërkesave për Leje Rindërtimi është bazuar në dokumentacionin tekniko-ligjor të depozituar në sistemin e-leje nga aplikuesi përkatës. Nuk kemi pasur detyrim për rikonfirmim të akteve të hartauara nga Insituti i Ndërtimit”.

Hetimi për “8 vilat” tregoi se, për të përfituar një Leje Rindërtimi në Tiranë mund të përdoren lehtësisht dokumenta të falsifikuar, të ndryshohen koordinatat apo volumet e ndërtesave të reja pa asnjë problem, pasi Bashkia e kryeqytetit e ka vendosur veten jashtë loje.

Mjafton që të mos ketë sinjalizime apo denoncime nga qytetarët dhe kushdo mund të “Rindërtojë” sipas dëshirës apo vullnetit të tij.

A e beson kush se një abuzim i tillë, me kaq lehtësi, kryhet pa dijeninë e Bashkisë së Tiranës dhe zyrtarëve të saj të rëndësishëm?

About Redaksia

Check Also

Rama merr në mbrojtje Veliajn pasi e degdisi në azil

Pasi e nisi në ekzil, Rama lan duart si Ponc Pilati me Veliaj dhe e …