Mediat kanë zbuluar detaje të reja për vrasjen e Liridona Ademajt natën e të mërkurës së 28 nëntorit në Prishtinë.
Ftesa besëprerë e Naim Murselit për bashkëshorten e tij, Liridona Ademajn që të darkonin bashkë natën e të mërkurës së kaluar, ishte e fundit për nënën e dy fëmijëve.
Naimi bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët po darkonin në një restorant në Graçanicë.
Siç shkruan sot portali Indeksonline, Granit Plava është parë në oborrin e restorantit duke kontrolluar situatën para krimit.
Pak para se Naim Murseli dhe Liridona Ademaj të kryenin darkën e fundit, Granit Plava dhe Liridon Kokalla dyshohet se kanë marrë udhën paraprakisht drejt vendit tragjik ku ishte planifikuar vrasja e Liridona Ademajt.
Portali Indeksonline shkruan se gjatë rrugës ata kanë ndërruar veturën me të cilën ishin nisur nga restoranti në Graçanicë.
Dyshohet se Liridona Ademaj u vra me një plumb në qafë në një zonë të fshehët në fshatin Sinidoll të Prishtinës, aty ku ishte organizuar vrasje makabre.
Naim Murseli në seancën e fundit dëgjimore deklaroi se nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes madje kishte qenë dhe vet i rrezikuar, duke mohuar kështu përfshirjen në vrasjen e bashkëshortes së tij, një deklaratë kjo kontradiktore, krahasuar me të parën ku kishte thënë se ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortes.