Deputetët e opozitës kanë bllokuar sot punimet e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, të mbledhur në Kryesinë e Kuvendit.
Deputeti i PD, Edmond Spaho i ka kërkuar maxhorancës që të reflektojë. Ai theksoi se për situatën në fjalë maxhoranca ka përgjegjësi.
“Keni përgjegjësi. Po të ishit në pozita parimore, s’do të arrinim këtu. Reflektoni dhe kërkoni që të kthehet normalitet”, tha Spaho.
Deputeti i PD, Flamur Noka u ul në vendin e kryetarit të komisionit, duke mos lejuar vazhdimin e punimeve sipas rendit të ditës të përgatitur nga socialistët.
Në plan ishte shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në cilësinë komisionit përgjegjës.
Në këtë Komision pritej të merrte fjalën, ministri i Brendshëm Taulant Balla, i akuzuar nga PD për lidhjet e tij me bosë të krimit. Pas vendosmërisë së deputetëve opozitarë, socialistët u detyruan të dilnin nga salla.