Nga Luçiano BOÇI
SPAK duket që është në aksion. Deri këtu biem të gjithë dakort.
Problemi nis me thelbin e aksionit të lidhur me inceneratorët.
Këtu pikëpyetjet mbi aksionin janë të shumta.
Buja me fletë-arrestet për inceneratorin e Tiranës i ngjan një tymnaje gjigande e cila më shumë mbulon se sa zbulon, më shumë mjegullon se sa qartëson.
Madje do thoja që ajo nuk thotë asgjë. Nuk e çon gishtin në plagë, në aferën e shekullit. Nuk e drejton gishtin tek ata që e organizuan, e aplikuan dhe e përdorën për përfitime financiare dhe politike.
15 të kërkuarit për arrest nuk janë kaq.
Duhet të futemi në matematikën logjike.
Katër prej tyre Koka, Bllako, Mërtiri, Zoto, janë prej kohësh të akuzuar pothuaj për të njëjtën gjë. Këtu s’ka asgjë të re. Pra nuk mund t’i fusim tek zhurma.
Pesë të tjerë krejtësisht personazhe periferikë të aferës janë me masë të lehtë sigurie që do të thotë që nuk kanë aq shumë përgjegjësi. Edhe këto zbriten.
Edhe këtu e reja mungon sepse janë té akuzuar periferikë.
“E reja” (që dhe kjo nuk është e tillë) mbetet tek anëtarët e komisionit të inceneratorit të Tiranës që miratuan bonusin.
Pra dhe kjo është një “e re” e vjetër.
Ndër ato 6, jo vetëm ka emra që, ose janë akuzuar për të njejtën vepër, ose janë dënuar, por dhe të rinjtë janë marrë vetëm se kanë qenë zyrtarë të bindur ndaj urdhërve politikë. Nuk janë përfshirë drejtpërdrejtë.
SPAK thjesht po luan, pa thënë asgjë me rëndësi.
Kjo taktikë e vjetër e SPAK është përdorur tek Inceneratori i Elbasanit ku të vetmit të akuzuar e dënuar specifikisht për inceneratorin, ishin anëtarët e komisionit të ngritur që miratuan procedurën negociim pa shpallje.
Të tjerët që u dënuan nuk kishin asnjë akuzë eskluzive për inceneratorët.
E njëjta gjë po ndodh dhe me Fierin e tani me Tiranën.
Kjo skemë vendos në akuzë thjesht ca njerëz që kanë vepruar nën urdhëra dhe nuk janë autorë të skemës korruptive.
Janë vetëm viktima.
“Të vegjëlit” sakrifikohen sa herë mbulohen shefat. Kjo dihet dhe është aplikuar shpesh.
Pra 15 urdhër arrestet = 0 efektivitet ndaj hetimit të megakorrupsionit të inceneratorëve.
Ndërkohë dihet botërisht:
Autorët e vërtetë strehohen në Kryeministri.
Nisin nga Metani e Agaçi shtrihen në disa anëtarë kabineti e koka është Rama.
Pa e hetuar çështjen si aferë ku përfshihen Elbasani, Fieri, e Tirana me dirigjuesit e tyre dhe pa i trajtuar të implikuarit si grup i strukturuar, ky korrupsion do mbulohet.
Mënyra që ka zgjedhur SPAK është hileqare dhe ajo fsheh dhe merr në mbrojtje autorët e kësaj afere.
Fletë-arrestet ngjajnë si vikamë e shurdhët që nuk ka zë sepse dikush e ka kapur prej fyti.
Ai (SPAK) për inceneratorët nuk po na thotë e nuk po bën asgjë…