“Drejtësia” që prodhon padrejtësi

Nga Erion DASHO

Nuk ka rëndësi kush e kontrollon SPAK-un, Borati apo Ambasada Amerikane, mesazhi që jepet me masën shtrënguese ndaj Sali Berishës është mesazhi më i gabuar i mundshëm.

Ndalimi i Berishës për të komunikuar me persona jashtë familjes përbën një tejkalim krejtësisht të panevojshëm të rreptësisë së masës shtrënguese. Në të tre variantet:

  1. SPAK-u kontrollohet nga Ambasada Amerikane…
    2. SPAK-u kontrollohet nga Borati…
    3. SPAK-u është i pavarur…

…ajo që ndodhi me Sali Berishën është e papranueshme.

Në rast se SPAK-u është një mekanizëm i kontrolluar, mesazhi që jep vendimi është se kushdo që kontrollon SPAK-un mund ta përdorë atë si kobure kundër armiqve.

Si Ambasada Amerikane, ashtu edhe Edi Rama e kanë cilësuar tanimë Berishën “armik” (të padëshirueshëm) deri në pikën ku përdorin një gjuhë dhe qëndrim të unifikuar ndaj tij.

Në rastin e pangjarë që SPAK-u të jetë i pavarur (!!!), tejkalimi i kompetencave duke i cënuar Sali Berishës të drejtën kushtetuese të lirisë së fjalës dhe duke e vendosur atë praktikisht në kushtet e trajtimit “41 bis”, do të fliste për një institucion mendjemadh dhe arrogant.

Nuk ka rëndësi se cili ka marrë “super xhiro”, vetë SPAK-u apo sponsorët e tij, siç e përmenda edhe më lart, mesazhi që i jepet publikut me rastin Berisha është se ai që kontrollon drejtësinë, mund ta përdorë atë si armë kundër armiqve.

Nëse drejtësia e re ka nevojë të jetë nën mbikqyrje deri sa të forcohet dhe të ecë me këmbët e veta, le të jetë kjo mbështetje, por jo tutelë dhe, aq më pak, diktat.

Sepse, nëse Sali Berisha nesër dënohet pas një procesi të tillë, çdo shqiptar i madh e i vogël do të shtrojë pyetjen: “U dënua Berisha fajtor në bazë të ligjit, apo Berisha viktimë e makinacioneve politike dhe lobingjeve amorale?!”

Shqiptarët nuk e duan “drejtësinë” në variantin Nr. 2! E patën 45 vjet dhe e panë se ku i çoi…

About Redaksia

Check Also

Te radha e qumështit

Nga Agim XHAFKA Këto partitë e reja, që sa herë u kërkohet të bëhen bashkë …