Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe anëtari i Kryesisë, Belind Këlliçi denoncuan skandalin e vjedhjes së tokës së familjes Begeja. Noka tha se, kemi paditur Ramën dhe Bolinon e tij! SKAP-i i partisë ka frikë të shohë faktet
“Jam sot përpara jush për të informuar publikun për një kallëzim penal që kam depozituar para dy ditësh pranë Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Siç e dini, pasi është bërë publike dhe denoncuar disa herë nga kryetari i PD, Sali Berisha, ky kallëzim penal vjen si pasojë e të gjitha shkeljeve penale që ka kryer direkt Edi Rama dhe qeveria shqiptare në bashkëpunim me shtetasin Karlo Bolino.
Dua t’u sqaroj në vija të përgjithshme se në thelb në këtë denoncim, ne kemi të bëjmë për të publikuar angazhimin direkt të Edi Ramës, të ministres Anila Denaj dhe të gjithë qeverisë, por edhe të Erion Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës, për t’i dhënë Karlo Bolinos në kundërshtim me ligjin, një pronë të destinuar për shkollë publike, një pronë të falur, të dhuruar nga familja Begeja.
Bëhet fjalë për një seri ndryshimesh të VKM-së numër 54 të vitit 2014. Konkretisht Edi Rama dhe qeveria e tij në katër VKM, me referencë specifike kompaninë Bolino, vjedhin 1500 metër katrorë tokë të falur nga familja Begeja, trashëgimtar i të cilës është zoti Malltezi.
Bëhet fjalë për një vendim të KKT të firmosur nga Edi Rama dhe 1.4 milionë euro para të taksapaguesve shqiptarë, që kanë shërbyer për të konvertuar Karlon në pronar të një prej medieve personale të pushtetit. Një media, e cila e nis dhe e mbyll ditën me shpifje, me trillime, me sulme, me baltosje dhe mashtrime kundër opozitës dhe kryesisht PD-së.
Edhe pse Edi Rama dhe qeveria e tij i kanë të gjitha pushtetet në dorë, i kanë të gjithë firmat, vulat dhe mekanizmat, ata përsëri nuk ndalen në avazin e tyre, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet zyrtare të shtetit. E gjitha kjo bëhet vetëm e vetëm që Karlo Bolino dhe grupi i tij mediatik, një media banale, të shndërrohet në media të madhe.
Edi Rama e dinte shume mirë që ajo pronë, ai truall prej 4,021 m2, nuk mund të merrej dot nëse ai nuk do të falsifikonte dhe do të urdhëronte Anila Denajn, të cilën e ka rikthyer serish në kabinetin e hajdutëve, që të shkelte çdo ligj në shërbim të Karlos”, tha Noka.





Gazeta RD