Inter triumfon në Superkupë

Nuk ishte një finale ëndrrash, nuk e kishte as entuziazmin e një finale të madhe, kjo për vetë faktin që u zhvillua në një tokë të huaj, u shit në Riad për më shumë para, por në fund një trofe është gjithnjë një trofe. Inter thyen 1-0 Napolin në finale, i shton koleksionit të klubit një tjetër trofe të Superkupës, i 7 në histori. Simone Inzaghi konfirmohet strateg i këtij turneu, e fiton për herë të 5 në karrierë si askush tjetër më parë. Zikaltërit ishin superior në këtë finale, krijuan 22 raste, goditën 6 herë kuadratin, por ishin të pafat në shumë episode.

Blutë mbetën me 10-të lojtarë pas minutës së 60-të teksa Simeone u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Napoli u mbrojt me çdo formë, krijuan një mur të vërtetë, por në fund, në minutën e 91-të, Lautaro Martinez i ndëshkoi duke i dhuruar Interit trofeun e Superkupës së Italisë.

Feston me trofe edhe Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi nuk u preferua asnjë minutë, por ky është një trofe i rëndësishëm që shton në CV e tij. Lojtari i ndeshjes u shpall kapiteni Martinez i cili nuk i fshehu emocionet për këtë trofe:

“Jam shumë i lumtur, Superkupa ishte një objektiv për këtë sezon. Pas u eliminuam nga Kupa e Italisë, kjo ishte një mundësi e madhe për të fituar një trofe. Jam krenar për këtë skuadër”, u shpreh Martinez i cili me këtë gol shkoi në kuotën e 123 golave me fanellën zikaltër duke barazuar Christian Vierin.

About Redaksia

Check Also

Ronaldo trondit Arabinë Saudite, nuk do të luaj për Al Nassr

Cristiano Ronaldo ka hyrë në një konflikt të hapur me drejtuesit e klubit Al Nassr …