Kryetari i PD, Sali Berisha, tha në tubimin e mbrëmjes së sotme, se këto 10 vite, shqiptarët janë rrokullisur në mënyrë të pamëshirshme nga qeverisja e Edi Ramës. Berisha tha se, si në asnjë vend tjetër të Europës, pushteti përdoret vetëm për të vjedhur.
“Miqtë e mi!
Sërish theksoj se ekziston një raport shekullor, mijëra vjeçar mes hajdutit dhe atij që vidhet.
Sot ne jemi të përçmuar, sot ne jemi të shpërfillur sepse nuk ka njerëz, nuk ka qytetarë më të vjedhur, më të poshtëruar se shqiptarët.
Ne jemi dëshmitarë se në ekzistencën tonë, më shumë se çdo gjë tjetër na kanë munduar varfëria, skamja e tmerrshme, por jemi dëshmitarë se liria bëri të mundur që të dalim nga honet më të zeza të varfërisë dhe mjerimit dhe të ecim në rrugën e vendeve me prosperitet në rritje të vazhdueshme.
Në vitin 2013 ne që ishim më të varfrit e këtij gadishulli nuk them se u bëmë më zengjinët, por paguheshim më mirë se të gjithë të tjerët.
Dhe kjo ishte një arritje e shekujve për shqiptarët.
Çfarë ndodhi me ne këto 10 vite?
Këto 10 vite në u rrokullisëm në mënyrë të pamëshirë nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, përsëri të fundit e të fundve në rajon për rrogat.
Kjo sepse si në asnjë vend tjetër të Europës, pushteti përdoret vetëm për të vjedhur.
Kjo sepse shpallet emergjencë për djegësat, shpenzohen 200 mln euro dhe sot asnjëri nuk funksionon.
Kjo sepse shpallet emergjencë për të vjedhur. Shpenzohen 130 mln euro dhe djegësi në Tiranë nuk ka as themele, nuk ekziston sepse vjedhja është e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Kjo sepse sot rrugët që nuk përfundojnë kurrë, ndërtohen me një çmim 15-20 herë më të shtrenjtë se kudo në Europë.
Kjo sepse pasuritë përrallore publike ndahen mes qeveritarëve e trafikantëve, bandave kriminale.
Kjo sepse ekonomia kontrollohet nga klientela e qeverisë e cila është aksionere në të gjithë plaçkitjet dhe grabitjet që bëhen”, tha Berisha.