Lideri i opozitës, Sali Berisha iu drejtua shqiptarëve në tubimin qytetar në “Rrugën e Shpresës:, që të mos e humbasin kurrë fuqinë e krahasimit. Duke i bërë thirrje shqiptarëve, Berisha tha “mos harroni, mos u mashtroni nga aktet propagandistike, mos u mashtroni nga veprimet me të cilat Edi Rama kërkon të mbulojë vjedhjet e tij të tmerrshme”.
“Së pari, përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të madhe, nderimin më të thellë për ju qëndrestarë të vërtetë, që mblidheni këtu çdo natë për shpresën dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Sot unë shfrytëzoj rastin të uroj qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë për Ditën e Verës.
Dita e Verës është dita e lulëzimit, dita e zbukurimit të natyrës.
Është dita e ndërrimit të mbara dhe të mira ndaj dhe unë uroj për çdo qytetar shqiptar ndërrim të mbarë dhe të mirë.
Një pranverë të bukur siç e duan vetë qytetarët e vendit.
Miqtë e mi, përshëndes dhe njëherë oratorët e parlamentit të lirisë, për temat, analizat, problemet që trajtojnë, frymëzuese për çdo shqiptar.
Gjithashtu u bëj thirrje shqiptarëve të mos harroni, mos u mashtroni nga aktet propagandistike.
Mos u mashtroni nga veprimet me të cilat Edi Rama kërkon të mbulojë vjedhjet e tij të tmerrshme.
Ju bëj thirrje shqiptarëve, mos humbisni fuqinë e krahasimit.
Krahasoni gjërat se është interesi juaj më i mire”, tha Berisha.