Pse ndihma ushtarake e Kosovës për Ukrainën është kaq domethënëse?

Enver Bytyçi

Ka kaluar pa vëmendje një lajm që të martën e kaluar u njoftua përmes ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci. Ministri bëri me dije se ai në emër të shtetit më të ri në Europë kishte njoftuar mbledhjen e 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të zhvilluar në Ramstein të Gjermanisë, se Republika e Kosovës do të dërgojë javën e ardhshme ndihma të konsiderueshme ushtarake në Ukrainë. Pjesë e këtyre ndihmave do të jenë disa dhjetra kamionë taktikë, automjete gjithashtu taktike dhe autoblinda ushtarake, si edhe mijëra predha të mortajave në një fazë të dytë. Kjo është hera e parë që Kosova dërgon ndihma ushtarake në Kiev.

Kjo deklaratë e rëndësishme e ministrit të Kosovës për Mbrojtjen u bë para 50 përfaqësuesve të 50 shteteve pjesmarrëse në takimin e Ramstein. Ndërkohë që këtë deklaratë e përshëndeti me entusiazëm ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode. Ai tha se “Edhe pse Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, qeveria kosovare po e ndihmon Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus, duke e mbështetur me pajisje ushtarake. Shumë e lavdërueshme, chapeau”.

Ky lajm është ndoshta më i miri dhe më interesanti ndër lajmet e tjera kohës së sotme për Kosovën! Megjithatë ai shkoi pa u vërejtur, kryesisht për shkak të axhendave politike e mediatike të pista. Ndihma ushtarake e Kosovës për Ukrainën është ngjarje historike. Dhe për këtë ka argumente pa fund.
Së pari, se Kosova pozicionohet e prezantohet në formatin e shtetit të konsoliduar! Me këtë akt ajo u thotë partnerëve ndërkombëtarë se „Liria, pavarësia, shtetësia, integriteti territorial i Kosovës nuk kanë alternativë“! Partnerët e saj dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën konsolidojnë bindjen e tyre për aktin e njohjes së këtij shteti dhe ndjehen krenar me këtë akt.

Së dyti, sepse Kosova po i jep ndihmë ushtarake një vendi dhe një shteti, i cili ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Kjo ve në sprovë Ukrainën dhe jo Kosovën. Çka do të thotë se ky veprim do të pasohet heret a vonë me njohjen nga ana e Ukrainës të shtetësisë së Kosovës dhe me krijimin e një lidhjeje e miqësie të ngushtë midis të dy vendeve. Do ishte në nderin e Kievit që njohjen ta shpallë menjëherë në shenjë mirënjohjeje për solidaritetin kosovar!

Së treti, ndihma ushtarake e Kosovës për Ukrainën e luftën e saj për t’u çliruar plotësisht nga agresioni i Rusisë dhe Vladimir Putin relativizon mitin e furnizimit me municione të ushtrisë ukrainase nga ana e Serbisë. Pika më e fortë e Serbisë, të cilën ajo e ka përdor me sukses kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj deri tani, ishte arsyetimi se „Serbia po ndihëmon Ukrainën“! Aq shumë është thënë kjo sidomos nga propagandistët pro-serbë të medieve shqiptare dhe disa diplomatë perendimorë gjithashtu pro-serbë, saqë gati u shndërrua në mit. „Serbia furnizon me armë Ukrainën?! Waaa – thonë këta suflerë të Beogradit. Dhe krijojnë kështu mitin e „shkëputjes së Serbisë nga ndikimi rus“!

Kaq i mjaftoi Aleksandër Vuçiq që të marrë zemër e guxim ta kërcënojë Kosovën gati çdo ditë me agresion ushtarak. Ndërsa miqtë e tij në Beograd e kudo gati sa nuk i jistifikojnë provokimet e presidentit të Serbisë me „mitin“ se Serbia ndihëmon ushtarakisht Ukrainën. Tani që po e bën të njëjtën gjë Kosova, shteti më i ri i Europës, bie përfundimisht hiperbola e „sakrificës serbe“ për paqen!
Së katërti, Kosova e ndihëmon Ukrainën me autoblinda, predha murtajash e mjete të tjera për të dëshmuar se është palë e në anën e aleancës politiko-ushtarake të NATO-s dhe se po bën të njëjtën gjë si edhe vendet anëtare të këtij Pakti.

Me këtë rast i jepet përgjigja edhe ambasadorit amerikan, zotit Hill, sipas të cilit “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova“! Kosova po eksporton me shpejtësinë e një dinosauri angazhim për paqe e siguri në Europë. Ajo trajnon prej kohësh forcat ushtarake të Ukrainës dhe demonstron se është e përgatitur që sot profesionalisht për të qenë anëtare më e denjë se shumë shtete të tjera tashmë pjesë e Aleancës Atlantike. Nuk ka më dyshim se profesionalizmi i ushtrisë së Kosovës është i admirueshëm edhe për ushtritë më të konsoliduara të NATO-s. Ndërkohë që kësaj i shtohet vullneti politik për të dhënë diçka e shumëçka nga vetja në ndihmë të fitores se Ukrainës kundër agresionit rus.

Dhe së fundmi, me këtë akt dhe shembullin që shteti dhe ushtria e Kosovës jep në përkrahje të fitores së Ukrainës vendi bëhet pjesë e të gjitha inciativave euro-atlantike, si në rastin konkret, kur tashmë është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Bëhet gjithashtu një zë i dëgjuar dhe i respektuar në këto imniciativa!

Për të gjitha këto arsye duhet të jemi krenarë të gjithë!

About Redaksia

Check Also

Presidenca godet me shkresë Gjykatën Kushtetuese!

Nga Artan FUGA Të shpëtojë kush të mundet! Lexova në media se institucioni i Presidencës që …