Berisha: Në vitin 2008 ne lamë pas epokën e varfërisë dhe hymë në epokën e prosperitetit

Kryetari i PD, Sali Berisha i është rikthyer qeverisjes së tij, ku sipas tij, viti 2008 ishte viti kur Partia Demokratike ndau epokat. Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha theksoi se gjatë qeverisjes së PD-së, u la pas epoka e varfërisë dhe Shqipëria hyri në epokën e prosperitetit.

“Të dashur miq, parti e interesit kombëtar, PD jo vetëm që nuk u shmang, por ajo promovoi në mbarë botën, të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo që janë.

Pasi humbi zgjedhjet dhe dorëzoi pushtetin për shkak të gabimit të saj me skemat piramidale, armiqtë tanë menduan se ne do të ndryheshim në banesën e harresës, se fara jonë si demokratë do shuhej. Se PD nuk do kishte më.

E gjithë bota kundër nesh.

Por ne qëndruam në kauzën tonë.

Miqtë e mi, qëndruam në kauzën tonë të drejtë sepse Shqipëria duhet të kishte opozitë.

Dhe Shqipëria pa opozitë ishte shumë herë më e tmerrshme se piramidat e mashtrimit që u shembën nga PD.

PD nuk u mposht, përkundrazi ajo mblodhi një nga një shqiptarët idealistë, djem, vajza, burrat e gratë e idealeve të larta njerëzore, i motivoi për kauzën e drejtë.

Dhe në vitin 2005, në qershor, ata që erdhën me rebelim në pushtet, u përzunë me votën e lirë të shqiptarëve.

2005-2013, miq, në qoftë se me 22 mars, 32 vite më parë, ne ndamë epokat, epokën e diktaturës nga epoka e lirisë, ndamë historinë, historinë e diktaturës nga historia e lirisë, do u them me krenari se në vitin 2008, kur nxorëm Shqipërinë, shqiptarët, nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ne përsëri ndamë epokat.

Ne lamë pas epokën e varfërisë dhe hymë në epokën e prosperitetit.

22 marsi dhe fitorja e vitit 2005, bënë të mundur që shqiptarët, të stërkequrit në rajon, më të varfrit, të paguhen më mirë se të gjitha kombet e rajonit, përfshi këtu edhe dy vende të BE, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Shqipëria, miqtë e mi, firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Shqipëria u anëtarësua në NATO.

Shqipëria liberalizoi vizat.

Të gjitha këto vetëm e vetëm se ne ishim seriozë me reformat.

Sepse reformat ishin interesi juaj”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Bashkimi opozitar është një disiplinë politike që kërkon lëshime, përgjegjësi dhe vendime

Nga Ndriçim KULLA Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 janë tashmë një afat konkret, ndërsa …